Në Shkup u përurua romani historik i Bardhyl Mahmutit “Eskadronët e vdekjes”

Shkup, 18.05.2022 – Sot në ITShKSh u përurua romani “Eskadronët e vdekjes – kronikë e një kasaphane” i autorit Bardhyl Mahmuti, botim i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë, plagë e hapur”, që sjell para lexuesve në mënyrë të letrarizuar të vërtetat e dhimbshme mbi krimet e ish-regjimit kriminal serb në Kosovë.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se autori Bardhyl Mahmuti nuk ka ardhë krejt rastësisht te saga e tij letrare, pasi që atë e ka ngritur mbi një përvojë të pasur hulumtimesh jo vetëm të natyrës njerëzore, por edhe të anatomisë së një kohe që prodhoi kaq shumë tragjedi për një popull, siç ishin shqiptarët.

Profesori i letërsisë në Universitetin e Tetovës, Salajdin Salihu, paraqiti një vështrim të thelluar të subjektit të këtij romani historik, përmes së cilit jepen fakte tejet interesante për një kohë shumë të vështirë nëpër të cilën kaloi populli shqiptar në Kosovë. Më tej u lexua një vlerësim i autorit Bedri Islami, sipas të cilit, “Eskadronët e vdekjes” mund të jetë ndoshta libri ku mbi 95 përqind e faqeve të tij mbështeten në ngjarje të vërteta, është libër për njerëz dhe bëma reale, në të shumtën e rasteve tragjike, është kronika e përgjakshme e luftës së Kosovës, çmimi i paguar për lirinë, dhe më tej,  libër i drejtpërdrejtë për të njohur tragjedinë që ka ndodhur në fundin e shekullit të shkuar, në të cilin krimi dhe e vërteta historike nuk mund të bashkëjetojnë.

Më tej, Adnan Asllani, nënkryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë, plagë e hapur”, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të kësaj qendre, edhe përmes botimeve të kësaj natyre, pikërisht në kohën kur është krijuar një distancë e caktuar kohore nga lufta dhe shumë gjëra të rëndësishme rrezikohen të zhduken përgjithmonë pa u ndëshkuar.

Aktivitetin e përshëndeti edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas të cilit, opinioni kombëtar dhe ai ndërkombëtar, me këtë vepër të Bardhylit që kompleton mozaikun e dëshmive, e ka tashmë edhe më të qartë dhe nuk mund të mohojë se në Kosovë është kryer gjenocid nga ushtria dhe policia serbe.

Në fund, vetë autori Bardhyl Mahmuti, duke i falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen dhe interesimin, njëkohësisht njoftoi se libri ka zgjuar interesim të madh jo vetëm se brendashqiptar, por edhe jashtë, dhe si rezultat i këtij interesimi, libri është duke u përkthyer në më shumë gjuhë botërore.

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …