Shkup, 5-7 tetor 2017 – Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, për herë të parë u hap salla impozante (kupola), me konferencën shkencore ballkanike, që iu kushtua 500 vjetorit të Reformacionit protestant, organizuar nga Instituti Ballkanik për Fe dhe Kulturë – Shkup, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante – Tiranë, dhe Instituti i Historisë Nacionale – Shkup.
Hapja solemne e konferencës u bë më 5 tetor 2017, nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z.Talat Xhaferi, i cili theksoi rëndësinë e kësaj lëvizjeje në zhvillime të rëndësishme të historisë njerëzore.
Drejtori i ITSHKSH-së, dr.Skender Asani, tha se kemi nderin që edhe ne si Institut shqiptar në Shkup, të jemi pjesë e rëndësishme organizative e këtij evenimenti të madh. “Me Lëvizjen protestante lidhet përkthimi i parë i Biblës në shqipe, hapja e shkollës së parë të vashave në Korçë, Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, etj. Pra, kjo Lëvizje dha një kontribut të pazëvendësueshëm për iluminimin e shqiptarëve, duke u bërë një krah shumë i fuqishëm i Rilindjes tonë Kombëtare”, u shpreh Asani.
Konferenca ishte një tubim shkencor, ku rreth njëzetë teologë, historianë, sociologë dhe politologë, të ardhur nga më tepër se 15 vende, më 6 dhe 7 tetor, i paraqitën hulumtimet e tyre për ndikimin e Reformacionit protestant, me theks të veçantë në Ballkan.
Qëllimi i konferencës ishte që regjionalisht t’i bashkohemi përkujtimit global të 500 vjetorit të Reformacionit, të theksohet historia dhe impakti i kësaj lëvizjeje në Ballkan, të shtohen njohuritë për këtë fushë pak të njohur në historinë e Ballkanit, dhe të nxitet komunikimi edhe për të interesuarit e tjerë për këtë temë.