Shkup 26.1.2018 / Shkodër 27.1.2018 – Të premten në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Asociacioni qytetar “Acta Non Verba”- Shkup u shënua Dita ndërkombëtare për përkujtimin e tragjedisë të Holokaustit që ndodhi gjatë Luftës së dytë Botërore, e cila i përkon 73- vjetorit të çlirimit të kampit fashist Aushvic. Në ngjarje pjesëmarrës ishin përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar si dhe përfaqësues të komunitetit hebrenj në vend.
Në kuadër të ngjarjes u promovua libri i autores hebreje Mimi Kamhi Ergas- Faraxhi “ JETA IME NËN PUSHTIMIN NAZIST” në të cilin përshkruhet golgota e saj prej refugjateje gjatë pushtimit nazist – nga Shkupi për në Kosovë e deri në Shkodër, Shqipëri. Libri është përkthyer në tri gjuhë: shqip, maqedonisht, anglisht. Me këtë rast mori pjesë edhe e bija e autores Ita (Drita) Bartuv, e lindur në kohën e golgotës së familjes së saj.
“Prindërit e mi dhe unë jemi shumë falënderues ndaj popullit shqiptar. Ata na ndihmuan ne, na mbrojtën dhe na dhanë siguri dhe shoqëri gjatë kohës së luftës. Ata u kujdesën për ne dhe na dhanë edhe ushqim për të ngrënë. Me të vërtetë ndjehemi shumë falënderues, sepse shqiptarët na mbrojtën dhe na dhanë të gjitha gjërat e nevojshme si rroba dhe gjëra të tjera”, tha e mbijetuara e Holokaustit, e bija e Mimi Ergas–Faraxhit, Ita (Drita) Faraxhi – Bartuv.
Në këtë ngjarje fjalë rasti patën zëvendëskryeministri Bujar Osmani, mysafirja e veçantë Ita Bartuv Ambasadori i Izraelit në Republikën e Maqedonisë, Dan Orian, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë, Tomas Gerberih dhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani.
“Në mungesë të një shteti të drejtë, në mungesë të një kontrate funksionale sociale, shqiptarët janë detyruar të prodhojnë një kod tjetër që do ta zëvendësonte këtë kontratë sociale dhe atij kodi do t’i përshkruajë edhe tipare të mbinatyrshme. Shqiptari ka besuar dhe mund të besojë edhe sot se më lehtë është të dorëzohet jeta se sa të thyhet besa”, u shpreh drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani.
Ndërsa, të shtunën një aktivitet i ngjashëm u organizua në Shkodër të Shqipërisë, nën kujdesin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Izraelitja Ita (Drita) gati pas 75 vitesh kthehet në vendlindjen e saj, në Shkodër, dhe takohet me familjen Shurdha, e cila i kishte strehuar prindërit e saj, Mimin dhe Alberton, në vitin e mbrapshtë 1943. Takimi ishte shumë i veçantë dhe emocional.
Zonja Ita (Drita), e shoqëruar nga drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, e vizitoi edhe qytetin e Ferizajt, aty ku familja e saj gjeti shpëtimin e parë pas largimit nga Shkupi. Në Ferizaj u prit nga kryetari i komunës, z.Agim Aliu, i cili premtoi se së shpejti do të ngritin një pllakë përkujtimore për nderë të të mbijetuarve të Holokaustit.