Prishtinë, 03.04.2023 – Sot në sallën e Institutit Albanologjik të Prishtinës, u promovuan dy vëllimet me dokumente “Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”, botim i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Bashkorganizimi i dy institueve me Shoqërinë “Lëvizja”, tuboi një numër të madh të studiuesve dhe veprimtarëve të lëvizjes kombëtare shqiptare, kontributi i të cilëve është i jashtëzakonshëm në proceset politike të fundshekullit të kaluar.
Drejtori i ITShKSh – Shkup, Skender Asani, tha se me këto botime ne po shënojmë një hap më ambicioz në mbylljen e një teme që gjatë kohë ka qenë objekt debatesh e qëllimesh konstruktive e jokonstruktive, të sinqerta e djallëzore, siç është çështja e dosjeve politike dhe vendosja e tyre në funksion të ndriçimit të së kaluarës dhe hapjes së perspektivave për të ardhmen.
Fjalë rasti në këtë promovim pati drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi dhe u.d. drejtoreshë e Institutit të Historisë të Prishtinës, Teuta Shala – Peli, të cilët theksuan rëndësinë e këtyre dokumenteve për studimin e historisë sonë më të re kombëtare.
Një vështrim të zgjeruar analitik të këtyre vëllimeve me dokumente e bëri njëri nga udhëheqësit e grupeve ilegale shqiptare, Mehmet Hajrizi, i cili vuri në dukje sakrificën e madhe të popullit shqiptar për liri dhe demokraci.
Dy vëllimet me dokumente autentike jugosllave kryesisht të periudhës së viteve turbulente 1980-1988, janë nxjerrë nga Arkivi Shtetëror i Kroacisë në Zagreb. Promovimi i tyre më 11 mars në Shkup dhe sot në Prishtinë, përkon me 42-vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.