Në Manastir, akademi shkencore për 111-vjetorin e Alfabetit Shqip

Manastir, 20.11.2019 – Me një akademi shkencore, sot në Manastir vazhduan “Ditët e Alfabetit të Gjuhës Shqipe”.
Drejtori i ITSHKSH-Shkup, Skender Asani, tha se identiteti shqiptar, si askund më shumë, bashkohet në alfabetin e gjuhës shqipes, dhe s’do mend që ky tharm i identitetit tonë u prodhua pikërisht këto ditë para 111 vjetëve në këtë qytet. Kështu dhe këtu u vulos identiteti jonë dhe prandaj sot jemi shqiptarë kahdo që të jemi dhe kudo që të jetojmë, tha Asani.
“Pas ndërkombëtarizimit të punës sonë, duke themeluar departament për edukimin për Holokaustin, që na i ka hapur dyert nga Jerusalemi deri në Uashington, si dhe pas krijimit të departamentit për trashëgiminë e Nënës Terezë, të departamentit të marrëdhënieve shqiptaro-osmane e të departamenteve të tjera, dje në mbledhjen e Këshillit të Institutit vendosëm të ngremë edhe qendrat rajonale të trashëgimisë sonë, me ç’rast mbi të gjitha kemi parasysh qendrën rajonale të trashëgimisë kulturore ‘Qiriazët’, që së shpejti do të vihet në funksion në Manastir”, tha drejtori Asani.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, duke përshëndetur të pranishmit, kumtoi lajmin se ka nënshkruar vendimin që Muzeu i Kongresit të Manastirit, të jetë në agjendën e vizitave të obligueshme nga të gjitha shkollat e vendit.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, shpalosi nismën që Dita e Alfabetit të hyjë në kalendarin e festave kombëtare edhe në Shqipëri.
Më tej fjalë rasti patën edhe Marenglen Verli – kryetar i Akademisë së Studimeve Albanologjike nga Tirana, Hysen Matoshi – drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Sabit Syla – drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, studiuesit Valter Memisha e Xhevat Lloshi, David Hosalook – drejtor i Institutit të Studimeve Shqiptare e Protestante, si dhe Nuer Arsllani – drejtor i Muzeut të Alfabetit në Manastir.
Në mesin e shumë mysafirëve, në këtë akademi shkencore morën pjesë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ambasadori shqiptar Fatos Reka.
ITSHKSH-Shkup, ka themeluar një edicion të veçantë që do t’i kushtohet kësaj feste dhe do ta mbajë emrin “Ditë e Alfabetit”, ku do të botohen të gjitha punimet e aktiviteteve që ndodhin brenda manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit të gjuhës shqipe”.
Të gjitha aktivitetet janë duke u mbajtur nën patronazhin e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.

Shikoni gjithashtu

Konferencë shkencore ndërkombëtare: “Dialogu ndërfetar në Ballkan”

Këshilli organizues: Dr. Skender ASANI Dr. Sefer TAHIRI Dr. Zeqirija IBRAHIMI Dr. Izaim MURTEZANI Dr. …