Shkup, 14 qershor 2023 – Të martën në ITSHKSH u promovua monografia “Verbani: fshati i boshatisur” e autorit Prof. dr Musa Limani. Me këtë rast, drejtori, Prof.dr. Skender Asani, vuri në dukje nevojën e shkrimit të monografive për qytetet dhe fshatrat tona, në mënyrë që monografitë e tilla të inkorporohen në studimet më të thelluara të autorëve të ndryshëm. Ai e cilësoi punën e prof Limanit, si një kontribut të çmuar në ndriçimin e shumë aspekteve historike, demogarfike, sociale të periferive tona etnike, andaj edhe kjo monografi, sipas Asanit, e ka një vend të merituar në arkivimin e kujtesës sonë kolektive dhe i ftoi edhe studiuesit tjerë që të ndjekin këtë shembull.
Duke folur mbi rëndësinë e kësaj monografie, njëri nga recensentët, Prof.dr. Mazllum Baraliu, tha se kontribut të çmuar dhe të padiskutueshëm paraqet qasja e autorit në relacion me datat dhe ngjarjet me peshë specifike historike të popullit tonë, si në vendlindjen e autorit më gjerë në trojet e tjera të Kosovës Lindore, poashtu edhe në treva e tjera etnike shqiptare gjithandej Siujdhesës Ilirike.
Ndërkaq, recensenti tjetër, Prof.dr. Sadri Rexhepi u shpreh se autori, duke paraqitur sfidat e kohës nëpër të cilat kaloi popullata e vendlindjes së tij, lexuesit të kësaj vepre i jep përshtypjen se ka biseduar me shpirtin e gjithë atyre personave që kanë përfshirë këtu, edhe pse ata janë rritur në intervale të ndryshme kohore.
Me disa përshtypje mbi librin, u paraqit edhe publicist Emin Azemi, i cili nënvizoi se kjo vepër rrok një dimension shumë më të gjerë, ndonëse përqëndrohet vetëm një një zonë të caktuar.
“Thënë figurativisht, prof. Limani duke hedhur një guralec në ujë, ka shkaktuar rrathë koncentrikë në një sipërfaqe më të gjerë ujore. Duke trajtuar historinë e këtij fshati, ai ka prekur edhe nervaturën e një pjese të trungut tonë kombëtar, prandaj kjo është edhe arsyeja se pse këtë monografi do të duhej ta vështrojmë në kontekstin e ngushtë të analizës”, tha Azemi.
Duke u ndërlidhur me parafolësit në fund autori u shpreh se vetë shkrimi i kësaj monografie për të kishte qenë një borxh moral ndaj brezave të ardhshëm, në mënyrë që historia e shkruar nga të huajt, sidomos nga Akademia e Serbisë, që ka shtrembëruar të vërtetën e historisë sonë, duhet ndryshuar me një vullnet të ripërtërirë. “Shekulli XXI është shekulli i shqiptarëve dhe historinë tonë duhet ta shkruajmë vetë”, tha ai.
Pjesë e promovimit të kësaj monografie, ishte edhe debati në formë të pyetjeve dhe përgjigjeve në mes tëautorit dhe të pranishmëve.
Monografia “Verbani: fshati i boshatisur” e autorit Prof.dr. Musa Limani, është një ribotim i plotësuar i botimit të mëhershëm me të dhëna dhe argumente të reja, kryesisht rreth prejardhjes së fshatit.
Në fund autori i dhuroi ITSHKSH-së disa tituj librash të tij.