Nga Dr. Skender Asani
Nganjëherë kot ngrihen furtuna në gotë, kur në fakt jashtë gotës zhvillohet një det i tërë temash e problemesh, për të cilat mjafton vetëm vullnet dhe dëshirë për t’i trajtuar. Në këtë gjerësi dhe thellësi problemesh që na tangojnë si shoqëri dhe si komb, sigurisht që janë ato më esencialet e që lidhen me nxjerrjen e trashëgimisë nga pluhuri i harresës dhe përpjekja e vazhdueshme për ngritjen kapaciteteve zhvillimore, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë social e kulturor.
Ditëve të fundit përmbyllëm një fazë të rëndësishme të vendosjes së dinjitetit tonë shpirtëror e kulturor brenda një kauze që në thelb kishte humanizmin,mirëkuptimin dhe vizionin. Sheshi qendror i Shkupit i ngjante një agore të ardhur nga antika ku stereotipet e së kaluarës i nënshtroheshin një dioptrie të re. Për herë të parë në këtë shesh u demonstrua një betejë e suksesshme kulturore, ku nuk pati nevojë të ketë viktima, por përkundrazi, kjo betejë avancoi edhe më tej kulturën e mirëbesimit dhe respektit reciprok në mes të qytetarëve. Sepse, Nëna Terezë ishte lajtmotivi i kësaj beteje, kurse ne që morëm pjesë në këtë betejë, kush duke qenë aktiv, e kush duke bërë sehir, e kuptuam për herë të parë se për të dhuruar dashuri e respekt për të tjerët, duhet luftuar egon personale në favor të mirëqenies së përgjithshme. Gonxhe Bojaxhiu, kjo vajzë që doli nga dera e Bojaxhinjëve të Shkupit, do të formojë kodin e saj të sjelljes njerëzore dhe si e tillë jo rastësisht u bë nënë për të gjithë. Ajo madje u shpall edhe e shenjtë dhe tash shenjtëria e Nënë Terezës na obligon të jemi më të dashur me njëri tjetrin dhe të pranojmë dhe japim energji pozitive për punë të mira e fisnike. Kjo, fundja, ishte edhe aksioma jetësore e Shën Nënë Terezës, e cila prej momentit kur u largua nga Shkupi ynë e deri sa i mbylli sytë përgjithmonë në Kalkutën largët, pati vetëm një preokupim jetësor: të pakësoj nga vetvetja luksin dhe rehatinë në dobi të vetmisë dhe vuajtjes njerëzore.
Një dorë që shtrihet kur e ke më së vështiri, një buzëqeshje që të dhurohet kur je i kapluar nga mërzia dhe skamja, janë esenca e “ushqimit” njerëzor që nuk gjendet në hotelet më luksoze të botës. Ishte Shën Nënë Tereza, ajo e cila në mënyrë gjeniale diti të përpilojë “recetat” që do t’i bënte njerëzit të lumtur, duke iu ofruar pikërisht atë që iu mungonte më së shumti përkëdhelinë e dorës së ngrohtë njerëzore. Dora e Shën Nënë Terezës ishte një fushë magnetike që prodhonte stabilitet shpirtëror për të gjithë ata që në zemër kishin gropën e madhe të vetmisë.
Po, ne si shoqëri dhe si komb ku ndodhemi? Në cilën fushë magnetike po e ndërtojmë të ardhmen e brezave tanë?
Përgjigje në këto pyetje jemi munduar të japim tash e 14 vite kur si pjesë e një shoqërie të organizuar zhvilluam beteja të pa kompromis, pikërisht këtu në Sheshin qendror të Shkupit, ku në mënyrë të paskrupullt projektoheshin plane e ide për çrrënjosjen e identiteti tonë, përmes zhbërjes së trashëgimisë materiale të Familjes fisnike Bojaxhiu. Këtu e 14 vite më parë u ballafaquam me ligjet e egra të xhunglës urbane e cila kishte synim të prishë njëherë e përgjithmonë folenë e kujtimeve të fëmijërisë së hershme të Gonxhe Bojaxhiut dhe në vend të saj të injektojë një kujtesë të re, të vrazhdë dhe të dhimbshme për perspektivën tonë.
Por, këmbëngulja jonë ishte më e fuqishme se harbutëria e xhunglës urbane. Ne triumfuam mbi hijet e zeza që thurnin dendësinë e tyre në syprinën e të ardhmes sonë. Dhe, sot mund të themi se pikërisht aty ku po lëshon shtat bredhi i mbjellë para 40 viteve me duart e Shën Nënë Terezës, aty po zhvillohet drama e triumfit. Të gjithë, aktorë e spektatorë, jemi dëshmitarë se e sotmja po flet me gjuhën e Nënë Terezës, kurse e ardhmja do të flet me gjuhën e një skene që do të ngrihet mbi dallimet tona etnike, fetare, gjuhësore. Mbi atë skenë do të zhvillohet vazhdimësia e frymës së Shën Nënë Terezës, duke i bërë bashkë reliktet humane të saj (një mensë për skamnorët), por edhe sentimentin familjar (një shtatore e përbashkët e Familjes Bojaxhiu).
A mjafton gjithë kjo punë të mburremi për diçka që e kemi pasur për obligim ta bëjmë? Sigurisht se jo. Shën Nënë Tereza shkoi në amshim duke na porositur që për punët e kryera të mos e kthejmë kokën prapa, por ato t’ua lëmë trashëgim brezave, kurse për punët e mira që duhet bërë, të mos marrim leje nga askush.
Që gjithë ky angazhim rreth ruajtjes dhe kujtimit të jetës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, të merr trajtë kuptimplote, do të duhej të ndërmerret edhe një hap institucional – shpallja e Shën Nënë Terezës aset kombëtar nën mbrojtje të shtetit. Besojmë që ky veprim do të jetë edhe kurora e kujdesit tonë ndaj kësaj figure kolosale.
Shkup, 1 shtator 2020