Shkup, 1.9.2021 – Sot në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor, me një tribunë shkencore, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, u nderua autori i Abetares dhe figura poliedrike e profesor Xhevat Gegës.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se Xhevat Gega paraqet një figurë të spikatur të arsimit dhe kulturës shqiptare, të cilin shumë gjenerata nxënësish do ta mbajnë mend përjetësisht ai autorin e librit të Abetares, prej ku i mësuan shkronjat e para të gjuhës sonë. Sipas Asanit, profesor Gega në shumë fusha dha kontributin e tij të pakursyer, si gjuhëtar, letrar, përkthyes, gazetar dhe hartues tekstesh shkollore, prandaj kontributi i tij mbetet i pazëvendësueshëm.
Udhëheqësi i Katedrës së Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Shkup, Ismet Osmani, e kujtoi Gegën si profesor dhe pedagog të veçantë, i cili në mesin e gjeneratave të shumta të studentëve, përçoi dijen, dashurinë dhe vrullin e punës pedagogjike, të cilën e kryente me shumë profesionalizëm dhe pedanteri.
Tribunën e përshëndeti edhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ylber Sela.
Në emër të familjes, tribunën shkencore e përshëndetën e bija e tij, Leontina Gega – Musa dhe djali Arben Gega, të cilët falënderuan Institutin dhe Katedrën e Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Shkup për këtë organizim dhe nderim. Ndërsa, drejtori Asani në emër të Institutit ndau post-mortum një plaket për kontributin e veçantë të prof. dr. Xhevat Gegës në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare.
Më pas, në sesionin e parë shkencor, u paraqitën kumtesat e studiuesve: Avzi Mustafa – “Prof. dr.Xhevat Gega – model njeriu, pedagogu e shkencëtari”, Haki Ymeri – “Profesor Xhevat Gega – pedagogu si ai“, Hysen Matoshi – “Naim Frashëri dhe Gligor Përliqevi në studimet e Xhevat Gegës”, Xheladin Murati – “Profesor Xhevat Gega, me mision konkret për arsimin, gjuhën dhe kulturën”, Mirlinda Krifca – “Kontributi i profesor Xhevat Gegës në fushën e studimeve letrare”, Asllan Hamiti – “Profesor Xhevat Gega – gojëtar i shquar”, Ajten Hajdari Qamili – “Profesor Xhevat Gega për kulturën e gjuhës dhe normën letrare në RMV”, Zeqirja Ibrahimi – “Iluministi Xhevat Gega”, Lindita Ahmeti: “Erotika si harmoni e botës njerëzore”.
Ndërsa, në sesionin e dytë shkencor u paraqitën këto kumtesa: Zeqirija Neziri – “Xhevat Gega, profesor dhe studiues i letërsisë shqipe”, Nebi Dervishi – “Strugani prof. dr. Xhevat Gega – një gjysmë shekull jetë duke kalitur gjenerata”, Valbona Toska – “Profesor Xhevat Gega dhe gjuha shqipe”, Berton Sulejmani – “Profesor Xhevat Gega, bashkautor i gramatikave të shkollave fillore”, Ismet Osmani – “Rreth ndihmesave të profesor Xhevat Gegës për gjuhën dhe letërsinë shqiptare”, Afrim Rexhepi “Kritika letrare e Xhevat Gegës”, Shpresa Memedi Purde – “Xhevat Gega kolos i arsimit shqip”, Sevdail Demiri – “Xhevat Gega, gazetar i guximshëm dhe mjeshtër i fjalës së shkruar”, Farketa Dibra – “Zbatimi i metodës analitike-sintetike në Abetaren e Xhevat Gegës”, dhe Hidajete Azizi & Laura Papraniku Bejtullau “Abetarja e Xhevat Gegës vazhdimësi e abetareve shqiptare në Maqedoninë e Veriut”.
Të gjitha kumtesat pritet të botohen në një nga numrat e ardhshëm të edicionit “Scupi”.