Me pikëllim të tellë morëm lajmin për vdekjen e veprimtarit të palodhur të çështjes kombëtare, Sylë Zhitia. Ai ishte mik i imi dhe i ITSHKSH.
Ai ishte i pranishëm në shumë aktivitete që i organizuam për nder të datave dhe figurave të shquara të kombit.
Prezenca e tij gjithmonë shoqërohej me një rrezatim pozitiv energjish konstruktive.
Sylë Zhitia mbetet shembulli më tipik i njeriut modest e shpirtbardhë, i cili gjatë gjithë jetës, ashtu si edhe familja atdhetare Zhitia që i fali lirisë së Kosovës, heroin Afrim Zhitia, i mbeti besnik porosive dhe ideve më sublime të atdhedashurisë dhe sakrificës për ditët e sotme që po i gëzon populli ynë.
Ikja nga kjo botë e mikut tonë të dashur Syle Zhitia, do të krijojë një boshllëk, jo vetëm shpirtëror, por edhe njerëzor, sepse shpirtbardhësia e tij ishte mbi të gjitha një motor stimuli për të tjerët, dhe sidomos për ata që ishin në rrugën e mbarë të atdhetarisë.
Nderi më i madh që mund t’ia bëjmë këtij burri të lavdishëm të Kosovës martire, është të vazhdojmë ta kultivojmë frymën e tij të afrimit dhe mirëkuptimit.
Sylë Zhitia paç bekimin e Zotit dhe uratën e gjithë neve që të deshëm e të njohëm!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ty!
Shkup, 17 maj 2020
Dr. Skender Asani,
drejtor i ITSHKSH-Shkup