Selanik, 2 prill, 2023 – Të dielen në Selanik, në kishën e Shenjtorëve Kostandini dhe Elena, u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe në Greqi, 115 vjet pas meshës së parë në gjuhën shqipe për ortodoksët shqiptarë nga At Fan Noli në Boston të Shteteve të Bashkuara.
Për të nderuar këtë ngjarje mjaft të rëndësishme shpirtërore e kulturore, kishte shkuar edhe Prof.dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH, i cili konsideron se faktorizimi i elementit shqiptar në Greqi po ndodhë sipas të drejtave që legjislacioni europian i njeh. Ai e sheh me shumë rëndësi që edhe komuniteti shqiptar në Selanik dhe me gjerë, krahas aktiviteteve të përditshme, të kenë edhe organizimin e tyre fetar në gjuhën amtare, një komponentë kjo civilizuese që do të ndikojë edhe më tepër në rritjen e besimit dhe mirëkuptimit në mes të njerëzve me besime e etni të ndryshme .
Mbajtja e meshës së parë në gjuhën shqipe në Selanik është bërë e ditur nga komuniteti shqiptar i këtij qyteti Helen si një kërkesë e miratuar nga autoritetet përkatëse të Kishës ortodokse në Greqi.
I pranishëm në këtë solemnitet ishte edhe Mehmet Prishtina, president i Fondacionit “Hasan Prishtina” dhe trashëgimtar familjar i Hasan Prishtinës.
Dr. Luan Zyka, kryetar i Komunitetit Shqiptar të Selaniukut është njeriu më meritor për organizimin e kësaj meshe dhe kontributi i tij ndërlidhet me objektivat e këtij komunuteti që edhe jeta fetare në Selanik të ketë aromë shqiptare.