ME NATO-n DHE BE-në, SHQIPTARËT MË AFËR KAUZAVE TË TYRE

Nga Dr. Skender Asani

Kur flasim për këtë ditë mjaft të rëndësishme, që ndodhi para 21 viteve, pikërisht më 24 mars 1999, na imponohet domosdoshmëria që këtë ngjarje ta shikojmë në dy plane, në atë historik e aktual. Pra ne jetojmë në dy momente të rëndësishme historike: njëri moment ka të bëjë me vendimet e Konferencës së Versajës para 100 viteve, sidomos për popujt Ballkanit, ku në ato vendime ka dalë edhe propozimi i Presidentit Wilson me 14 pikat e tij që i ka hapë rrugë popujve të vegjël që të formojnë shtete e tyre dhe të inkuadrohen në organizimin gjithmbarshëm botëror, si ishte në atë kohë, Lidhja e Kombeve me seli në Gjenevë, ku iu mundësua edhe popujve të tjerë që të kenë shtetet e tyre. Por fatkeqësisht ky proces u ndërpre gjatë fillimit të luftërave në ish Jugosllavi, me daljen në skenë të projekteve të mëdha që shkaktoi dhembje të mëdha dhe katastrofa gjatë këtyre tri dekadave dhe ishte një pengesë që këta popuj të frymojnë lirshëm brenda koncepteve Euro-Atlantike.

Vetëm intervenimi i NATO-s në vitin 1999, pikërisht para 21 viteve, e zhbllokoi atë proces dhe iu mundësoi popujve liridashës, siç ishin shqiptarët, maqedonasit, kroatët, ose shtetet si Shqipëria Mali i Zi e Kroacia të inkuadrohen në NATO dhe Kosova të ketë legjitimitetin e saj për të krijuar shtet. Këto ditë ne si shtet morëm edhe ftesën për të qenë anëtar i NATO-s dhe dritën e gjelbër për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE.

Është edhe momenti tjetër, që lidhet me aspektin aspektin aktual, e që ka të bëjë me finalizimin bisedimeve Kosovë-Serbi, që Ballkanit do t’i jep një orientim të duhur, në mënyrë që të stabilizohet dhe të frymojë lirshëm në komunikim me popujt dhe shtet tjera.

24 marsi i vitit 1999 lidhet edhe me një ngjarje jo të këndshme që ka ndodhur pikërisht në këtë godinë ku është tani ITSHKSH, e cila atëherë ishte selia e ambasadës së SHBA dhe pikërisht këtu ku sot po e bëjmë këtë debat, është sulmuar pas intervenimit të NATO-s në Serbi. Sulmi i parë që i është bërë një objekti të SHBA-ve, ka qenë kjo godinë, e cila u dogj dhe kjo ngjarje e hidhur ka simbolikën e vet pikërisht për faktin se ky debat po bëhet në këtë institucion, që ka perspektiva krejtësisht tjera për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin në tërësi.

Nëse i bëjmë një restrospektivë historike shekullit 19 dhe 20, do të kemi parasysh edhe projektet e mëdha që shkaktonin luftëra dhe gjenocide e që kishin si synim shtypjen e popujve të vegjël. Këto projekte kishin si objektiv shtrirjen e ndikimit rus në këto hapësira dhe kjo ishte evidente sidomos gjatë luftërave ruso –turke në vitet 1875-78, pastaj gjatë Luftërave Ballkanike, kurse fryma e këtyre projekteve ishte e përshkuar edhe në Konferencën e Versajës, në Konferencën e Londrës, por edhe pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 2001, atëherë kur Marrëveshja e Ohrit ishte shtylla orientuese e Maqedonisë se çfarë kursi do të mbajë dhe pikërisht kjo Marrëveshje Maqedoninë e orientoi nga duhet të jetë – nga integrimet euro-atlantike. Dhe jo rastësisht pas 2001-shit, 2002-shit, patëm edhe një periudhë të euroskpeticizmit të artikuluar përmes mediave maqedonase dhe partive maqedonase, të cilët ndërkohë nxorën në sipërfaqe edhe retorikën nacionaliste, kuptohet të ndikuar nga Rusia dhe disa vende të tjera të Ballkanit.

Por ajo çka duhet veçuar me këtë rast, është fakti se shqiptarët me mençuri iu përgjigjën kësaj retorike, me konsistencën e tyre sublime properendimore, për dallim nga Tirana dhe Prishtina, të cilat, fatkeqësisht, edhe në ditët e sotme nuk kanë një busull orientimi në këto kriza politike. Pra shqiptarët në Maqedoni ngadhënjyen duke qenë pjesë e procesit euro-atlantik, përmes anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në. Ky orientim i shqiptarëve ka domethënie të madhe për arsye se ata ishin shumë koshient për kursin e tyre properëndimor dhe kanë arsye t’i gëzohen kësaj dite e cila përmes të ardhmes evropiane siguron edhe zgjidhje të çështjeve etnike e qytetare këtu në Maqedoninë e Veriut.

(Fjalë e mbajtur në ITSHKSH, më 24 mars 2020, me rastin e shënimit të 21 vjetorit të intervenimit të NATO-s mbi caqet serbe)

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …