Me konferencën mbarëkombëtare “Një komb – një gjuhë” përfunduan “Ditët e Alfabetit”

Sot, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, me konferencën mbarëkombëtare shkencore “Një komb – një gjuhë”, përfundoi manifestimi kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit”.
Ashtu siç ishte dakorduar vitin e kaluar me memorandumin e bashkëpunimit të lidhur mes Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, sivjet u organizua konferenca mbarëkombëtare shkencore “Një komb – një gjuhë”, që u hap sot në Shkup.
Në akademinë solemne të këtij manifestimi, që filloi ne interpretimin e Himnit të Alfabetit nga “Duo Scupi”, përkatësisht Ermal Memeti dhe Jeta Starova Memeti, fjalën e mirëseardhjes e pati drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani.
Me këtë rast ai theksoi se: “Atë që nuk e përmbushi Lidhja e Prizrenit, respektivisht Shoqëria e Shtypuri Shkronja Shqip, atë që nuk e mbylli as Kongresi i Manastirit me temën e alfabetit, e bëri pikërisht Kongresi i Drejtshkrimit me unifikimin e gjuhës standarde, që më shumë se zgjidhje e një problemi gjuhësor, ishte zgjidhje e një problemi historik. Një komb i ndarë në baza fetare, krahinore, por edhe politike, të cilit historia ia ka fragmentuar edhe gjeografinë, më në fund e gjeti elementin që do ta lidhte dhe do ta njësonte. Gjuha standarde shqipe, me Kongresin e Drejtshkrimit, u bë mjeti që i lidh dhe bashkon shqiptarët, duke ua rrafshuar të gjitha dallimet. Pas këtij kongresi u bë relative se a je shqiptar në Tiranë, në Shkup, në Prishtinë, në Preshevë, në Ulqin ose në mërgatë, ngase tashmë ishte krijuar indi lidhor i kombit dhe kjo do ta tipizonte secilin shqiptar kudo që të jetë ai. Prandaj, shikuar në këtë kontekst, Kongresi i Drejtshkrimit bëhet mbase pika më e rëndësishme e ndërtimit të kombit tonë.”
Në fjalën e tij, drejtori Asani e uroi edhe Ditën e Alfabetit dhe 15-vjetorin e themelimit të Institutit.
Pas tij të pranishmëve iu drejtua drejtori i Institutit Albanologjik, Dr. Hysen Matoshi, i cili foli për rëndësinë e Kongresit të Alfabetit dhe Kongresin e Drejtshkrimit për identitetin tonë kombëtar shqiptar.
Në emër të Akademisë së Studimeve Albanologjike në këtë akademi solemne fjalë rasti pati zëvendësrektori i saj, Dr. Valter Memisha, i cili foli për rëndësinë e madhe të gjuhës standarde në unifikimin e kombit.
Meqë në Institut është hapur edhe ekspozita “Nga alfabeti në drejtshkrim”, që ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, për të foli drejtori i saj, Ardit Bido. Ai u ndal në vlerësimin e lartë të vendimit të Kongresit të Drejtshkrimit më 1972.
Në fund të kësaj akademie fjalë përshëndetëse pati edhe Mehmet Prishtina, themelues i fondacionit “Hasan Prishtina”, i cili foli për sukseset e njëpasnjëshme të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Pas përfundimit të akademisë solemne, u bë promovimi i veprës “E duam Drejtshkrimin si gjithë Europa” të prof. Xhevat Lloshi, për të cilën referuan prof. Qemal Murati, prof. Zeqirija Ibrahimi dhe prof. Valter Memisha.
Sipas agjendës, aktivitetet vazhduan me leximin e kumtesave shkencore të konferencës mbarëkombëtare shkencore “Një komb – një gjuhë”. Ashtu siç janë dakorduar tre institucionet shkencore, kjo konferencë shkencore i zhvillon punimet e saj në sesione të ndara në Shkup, Prishtinë e Tiranë, në të cilat do të marrin pjesë nga dy pjesëmarrës të institucioneve simotra.
Kështu edhe sivjet kanë përfunduar me sukses “Ditët e Alfabetit”, ndërsa nesër e pasnesër në Prishtinë, respektivisht në Tiranë, vazhdon konferenca mbarëkombëtare “Një komb – një gjuhë”.

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …