“MBJELLIM DASHURI” PËR NËNËN TEREZË, NJË EKSPOZITË QË BËRI BASHKË PRESIDENTËT BEGAJ DHE OSMANI

Fotografitë e përzgjedhura dhe sistemuara nga ITSHKSH, bashkë me dokumentet e rralla të siguruara nga Drejtoria e përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, përbënin lajtmotivin e kësaj ekspozite, tha Skender Asani, i cili veçoi disa momente që ndërlidhen me aktivitetet e ITSHKSH në ruajtjen dhe evokimin e trashëgimisë së Nënës Tereze

Tiranë, 05 shtator 2023 – Ekspozita “Mbjellim dashuri” bëri bashkë sot në Tiranë të dy presidentët e Shqipërisë dhe të Kosovës, Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani. Ekspozita u organizua nga ITSHKSH, Drejtoria e përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës.
Hapjen e ekspozitës e bëri drejtori i Arkivave të Përgjithshme të Shqipërisë, Ardit Bido, kurse drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, bëri komentimin e fotogravive dhe dokumenteve, duke përshkruar rrugën jetësore të Nënë Tereze, që nga fillimi kur ajo ishte Gonxhe Bojaxhiu, deri në shenjtërimin e saj.
Presidenti shqiptar Bajram Begaj me këtë rast shprehu konsiderata të larta ndaj organizatorëve të kësaj ekspozite dhe u shpreh i gatshëm që shtetit shqiptar të mbështesë çdo nismë që ndërmerret për të nderuar kujtimin për Nënën Tereze.
Ndërkaq Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se puna kolosale e Nënës Terezë na obligon që ta ruajmë të përhershme dashurinë dhe përkushtimin për të.

Fotografitë e përzgjedhura dhe sistemuara nga ITSHKSH, bashkë me dokumentet e rralla të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, përbënin lajtmotivin e kësaj ekspozite, tha Skender Asani, i cili veçoi disa momente që ndërlidhen me aktivitetet e ITSHKSH në ruajtjen dhe evokimin e trashëgimisë së Nënës Tereze, siç ishte bredhi i mbjellur nga ajo, por i shkatërruar para dy viteve, nga farat e të cilit u mbollën disa bredha në Shkup, Prishtinë dhe në Tiranë.

Një kontribut të veçantë në organizimin e kësaj ekspozite ka dhënë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, me ç’rast drejtori Ardit Bido veçoi një dëshmi të rrallë të Nënës Tereze.

“Besën e shqiptarit ia kam dhanë Zotit me prue dashni dhe paqe në gjithë botën”, është kjo thënia e N. Tereze e cituar nga Bido, që përbën edhe dokumentin e arkivuar që dëshmon fjalët e fundit të thëna shqip nga N. Terezë.

Aktiviteti i sotëm u ndoq nga media të shumta, ku të pranishëm ishin edhe disa diplomatë të akredituar në Tiranë.

 

 

 

Shikoni gjithashtu

NË SHKUP DHE NË PRISHTINË FILLOI MANIFESTIMI KULTUROR-SHKENCOR “DRITA E GONXHES”

“Nënë Tereza me qasjen e butë, paqësore e mirëkuptuese u bë udhërrëyfyese e porosive hyjnore …