Mbështetje e konsiderueshme për ITSHKSH-në nga Ministria e Kulturës

Shkup, 19.02.2020 – Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, sot e vizitoi Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ku u bisedua për implementimin e projekteve të shumta të realizuara gjatë vitit paraprak, si dhe të projekteve që kanë hyrë në programin e ri vjetor. Ministria e Kulturës për vitin 2020, për projektet e Institutit ka ndarë 3,2 milionë denarë, mjete të cilat do të shfrytëzohen për botimin e librave, revistave, konferencave shkencore, hulumtimeve jashtë shtetit dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve nëpër qendrat botërore.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se edhe sivjet kemi një mbështetje të jashtëzakonshme nga Ministria e Kulturës, gjë që neve na bën përgjegjës dhe të ndërgjegjshëm në punën tonë.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, tha se është ndarë mjaft i kënaqur nga puna e Institutit, për shkak të vlerave që janë promovuar, dhe pikërisht për këtë arsye, mbështetja e Ministrisë është akoma më e madhe krahasuar me vitin e kaluar.

ITSHKSH për këtë vit ka paraparë realizimin e shumë projekte. Në sferën e botimeve do të vazhdojë botimi i revistës shkencore ndërkombëtare “Studime albanologjike”, dy numra të edicionit “Scupi”, disa edicione të veçanta, si dhe disa vepra të reja shkencore. Instituti do të ketë edhe disa projekte hulumtuese dhe manifestime kulturore-shkencore, siç janë konferenca ndërkombëtare e Ballkanologjisë, “Ditë e Alfabetit”, “Java e Trashëgimisë Kulturore”, etj.

Shikoni gjithashtu

QASJA INSTITUCIONALE DHE SHKENCORE NDAJ FIGURËS SË NËNËS TEREZE

Nga Prof. dr. Skender ASANI Në historinë moderne, Shën Nëna Tereze përfaqëson figurën më emblematike …