Shkup, 18 nëntor 2021 – Sot në kuadër të manifestimit tradicional kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit” në ITShKSh, u mbajt sesioni shkencor kushtuar njërës nga figurat qendrore të letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe, Matteo Mandala.
Në fjalën e hapjes, udhëheqësja e Departamentit të Gjuhës Shqipe në ITShKSh, Hidajete Azizi, tha se manifestimi tradicional “Ditët e Alfabetit” me temë qendrore për këtë vit “Gjuha, letërsia, kultura dhe tradita arbëreshe”, i organizuar me rastin e 113 vjetorit të Kongresit të Manastirit, ka për qëllim që të kontribuojë për njohjen, për pasurimin e prurjeve shkencore dhe krijimin e një komunikimi më të afërt me kulturën dhe traditën e krijuar ndër shekuj nga arbëreshët e Italisë.
“Sesioni i sotëm shkencor, i katërti me radhë në kuadër të këtij manifestimi, i kushtohet prof. dr. Mateo Mandala, profesor në universitetin e Palermos dhe për shumë vjet përgjegjës i seksionit të albanologjisë në këtë universitet. Meritat e tij për filologjinë arbëreshe në përgjithësi dhe për filologjinë moderne shqiptare, në veçanti, janë të shumta. Mbi bazën e këtyre meritave, do të vlerësohet si njëri ndër albanologët më të shquar të kohës dhe njëri ndër themeluesit e filologjisë moderne shqiptare. Prurjet origjinale të tij në këto fusha, do ta ngrenë në piramidat më të larta të mendimit shkencor shqiptar në qarqet akademike universitare”, tha Azizi.
Manifestimin e përshëndeti zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi, në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Studiuesi nga Kosova, Anton Nikë Berisha, referoi në temën: “Matteo Mandalà studiues i mirëfilltë dhe gjurmues i përkushtuar i trashëgimisë arbëreshe”, duke shkoqitur disa sekuenca me interes për veprën e madhe shkencore të prof. Mandalasë.
Përmes një video – prezantimit, prof. Françesko Altimari nga Universiteti i Kalabrisë në Kozencë, referoi në temën: “Prof. Matteo Mandalà filolog dhe studiues i letërsisë”, dhe Emin Azemi nga ITShKSh foli për “Disa vlerësime të prof. Matteo Mandalà rreth poemës Kënka e sprasme e Balës e Gavril Darës”.
Në fund, vetë prof. Matteo Mandalà nga Hora e Arbëreshëve të Italisë në Sicili, përmes një video-prezantimi falënderoi për respektin e bërë dhe interesimin e zgjuar të ITShKSh-së në Shkup për të trajtuar këto tema të gjuhës, letërsisë, kulturës dhe traditës arbëreshe.
Dita e nesërme në “Ditët e Alfabetit -2021” do t’i kushtohet Anton Nikë Berishës, studiues i letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Aktiviteti fillon në ora 10 në ambientet e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, e cila është mbështetëse e këtij manifestimi.