Shkup, 15.9.2017 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve – Shkup dhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, sot shënuan 85 vjetorin e lindjes së prof. dr. Masar Kodra. Me këtë rast, në objektin e Institutit u hap ekspozita me dokumente e fotografi kushtuar jetës dhe veprës së prof. Masar Kodrës, përgatitur nga mr. Çlirim Dervishi.
Në hapjen solemne të punimeve të konferencës shkencore me temë “Prof. dr. Masar Kodra – figurë e shquar e historiografisë shqiptare (1932 – 2003)”, folën prof. dr. Skender Asani në emër të organizatorit, prof. dr. Ibrahim Gashi në emër të Universitetit të Prishtinës, dhe z. Fatmir M.Kodra në emër të familjes. Kurse, kryetari i Akademisë Shqiptare-Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Shkup, prof.Abdulla Mehmeti, i dorëzoi familjes certifikatën me të cilën prof. dr. Masar Kodrës, i jepet pas vdekjes titulli i nderit Akademik.
Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, theksoi se është nderë që Instituti e përkujton këtë figurë madhore të historiografisë shqiptare, i cili dallohet për kontributin e tij të pashoq në zhvillimin e shkencës historike në njërën anë, dhe zhvillimit të arsimit universitar në gjuhën shqipe, duke qenë udhërrëfyes për shumë gjenerata studentësh nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Tetovës.
Konferenca shkencore i zhvilloi punimet në dy seanca. Në seancën e parë, me punimet e tyre u paraqitën: Daut Bislimi “Kontributi i prof. Masar Kodrës në historiografinë shqiptare për vitet e Luftës së Dytë Botërore”; Halim Purelku “Vështrim mbi veprën “Shqiptarët e Maqedonisë në vitet e Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1944)”; Ibrahim Gashi “Kontributi i prof. dr. Masar Kodrës në Universitetin e Prishtinës”; Qerim Lita “Prof. Masar Kodra në dokumentet arkivore”; Jahja Drançolli – Qerim Dalipi “Vështrim punimeve të prof. Masar Kodrës për periudhën nga shek. XV e deri në vitin 1912”; Zejnulla Qyra “Kontributi i Masar Kodrës në organizimin e konferencave, tribunave e simpoziumeve shkencore në vitet 1991 – 2001, në qytetet e Maqedonisë”; Nuridin Ahmeti “Ndihmesa e profesor Masar Kodrës në përpilimin e teksteve shkollore të historisë në Kosovë”; Skender Asani – Sevdail Demiri “Prof. Masar Kodra, shembull i një shkencëtari, pedagogu dhe vizionari të mirëfilltë”; dhe Nebi Dervishi, “Prof. Masar Kodra – jeta dhe vepra”.
Kurse në seancën e dytë u paraqitën me kumtesa studiuesit: Naim Haimi “Profesor Masar Kodra, historian jo vetëm i shqiptarëve në Maqedoni”; Zeqirja Rexhepi “Lufta Antifashiste NÇ në Shqipëri në veprën “Çështja shqiptare në analet diplomatike amerikane” të Masar Kodrës”; Avdulla Mehmeti “Kontributi i Masar Kodrës në nismën për themelimin e Universitetit të Tetovës”; Zeqirja Idrizi “Recension veprës “Çështja shqiptare në analet diplomatike amerikane”; Mixhait Pollozhani “Masar Kodra, publicist dhe gazetar”; Banush Morina “Kontributi i Masar Kodrës në revistat shkencore në Kosovë”; Hamdi Mehdiu – Dushi “Kujtimet e mia ndaj personalitetit të prof. Masar Kodrës”; Çlirim Dervishi “Shënime bibliografike të veprave të Masar Kodrës”; dhe Sadri Rexhepi “Si e kam njohur Masar Kodrën”.
Të gjitha kumtesat do të botohen në një nga numrat e ardhshëm të revistës shkencore “Scupi”.