Shkup, 28 shkurt – Sot në Shkup u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi në mes të ITSHKSH dhe Universitetit “Kadri Zeka” nga Gjilani. Drejtuesit e këtyre dy institucioneve, Dr. Skender Asani dhe Dr. Bajram Kosumi, me bashkëpunëtorët, shpalosën idetë që do të konkretizohen në kuadër të një bashkëpunimi afatgjatë, duk u përqendruar në organizimin e veprimtarive e aktiviteteve nga sfera hulumtuese e botuese, si dhe në këmbimin e përvojave dhe kuadrove.
Dr. Skender Asani e njoftoi kolegun e tij nga Gjilani, rektorin Dr. Bajram Kosumin, me punën që ka bërë ITSHKSH për këto trembëdhjetë vite të ekzistimit të tij, me ç’rast u ndal në disa projekte konkrete që e kanë radhitur ITSHKSH-në në mesin e institucioneve më kredibile në fushën e kërkimeve e hulumtimeve shkencore.
Universiteti publik “Kadri Zeka” në Gjilan, sipas rektorit, Dr.Bajram Kosumi, tash më ka krijuar një përvojë të admirueshme në përgatitjen e kuadrove, si për tregun e punës, ashtu edhe për institucionet arsimore e shoqërore të Kosovës dhe më gjerë. Ai premtoi se në të ardhmen do të thellojnë bashkëpunimin me ITSHKSH në Shkup, si në aspektin e organizimit të përbashkët të konferencave e eventeve të ndryshme shkencore, gjithashtu dhe në zhvillimin e një veprimtarie të frytshme hulumtuse e botuese nga ana e studiuesve të të dy institucioneve.