Prishtinë, 26.12.2019 – Sot Instituti i Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve – Shkup, firmosi marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin “Iliria”, si institucion i arsimit të lartë në Kosovë.
Memorandumi u nënshkrua nga drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani dhe presidenti i Kolegjit “Iliria”, Mixhait Reçi, ndërsa në aktin e nënshkrimit morën pjesë edhe përfaqësuesit tjerë të lartë të Institutit, si dhe bashkëpunëtori i jashtëm, Nebi Dervishi.
Lënda e trajtimit e këtij Memorandumi është bashkëpunimi ndërmjet Kolegjit ILIRIA dhe ITSHKSH-së në fushën e shkencës, arsimit, edukimit dhe promovimit të përbashkët të aktiviteteve.
Synimet e veçanta të këtij memorandumi, janë: bashkëpunimi dhe ndihma e ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët, siç është zhvillimi i përvojave shkencore, arsimore e kulturore në Republikën e Maqedonisë ë Veriut dhe në Republikën e Kosovës; sensibilizimi i opinionit më të gjerë për nevojën e kultivimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore e shpirtërore si pasuri e përbashkët kombëtare; promovimi dhe ruajtja e vlerave shkencore, arsimore dhe kulturore me interes të përbashkët; studimi i mundësive për mbështetjen e projekteve të ndërsjella mes ITSHKSH-së dhe Kolegjit ILIRIA për realizimin e projekteve të ndryshme në fushë të shkencës, arsimit dhe edukimit; krijimi i klimës së mirë për këmbim të kuadrove ndërmjet ITSHKSH-së dhe Kolegjit ILIRIA, etj.