Manifestimi “Drita e Gonxhes”, Shenjtorja jonë nën mbrojtjen e shtetit!

Shkup, 26.08.2021 – Në 111-vjetorin e lindjes së shenjtores shqiptare Nëna Tereze, sot para pllakës përkujtimore ku gjendeshin themelet e shtëpisë së saj ku lindi, filloi manifestimi i organizuar nga ITShKSh në Shkup, “Drita e Gonxhes”.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, theksoi se ITShKSh ka inicuar, në formë të një elaborati, idenë për ta vendosur nën mbrojtje të shtetit emrin dhe veprën e Nënës Terezes, duke i dhënë vendin e merituar trashëgimisë së saj në kujtesën tonë kolektive. Prandaj, në kuadër të Departamentit të Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, janë grumbulluar fakte e argumente për ta mbështetur idenë që kjo Shenjtore e jona të vendoset nën mbrotje të shtetit, me ç’rast është botuar edhe elaborati, i cili tash më ndodhet në zyrat kryesore të instucioneve tona dhe së shpejti edhe në zyrat e diplomatëve të huaj që ndodhen në vendin tonë.

“Dita e sotme që ndërlidhet me ditëlindjen e Nënës Tereze, mund të na shërbejë si një shkas për të reflektuar dhe tërhequr, me veprimet tona, gjithë vëmendjen ndaj kësaj figure kolosale. Shpresoj që kjo vëmendje tash e tutje do të ketë fokusin e merituar në institucionet shtetërore, duke kaluar nga evokimi në materializim të figurës së Nënës Tereze, përmes një kornize juridike e cila do të shpallte atë aset shtetëror nën mbrojtje të ligjit”, potencoi drejtori Asani.

Profesor Anton Nikë Berisha nga Kosova, autor i parathënies së elaboratit “Shenjtorja jonë nën mbrojtjen e shtetit”, tha se me këtë botim Instituti ka dëshmuar një vetëdijesim të lartë për t’u bërë të ditur organeve përkatëse të RMV-së se këtë figurë të madhe duhet ta bëjnë pjesë të jetës shoqërore, kulturore dhe politike, sepse Nëna Tereze është një simbol që i afron kulturat, njerëzit dhe pikëpamjet e tyre, duke mundësuar një veprimtari të përbashkët që është një bazë e mirë për zhvillimin dhe përparimin e shtetit.

Kryetari i shoqatës qytetare “Shkupjanja Nënë Tereza, Dimçe Petrushevski, tha se përmes figurës së Nënës Tereze afirmohemi të gjithë ne si një shoqëri, pa dallim të përkatësisë nacionale dhe fetare, andaj edhe jemi krenar dhe me fat që e kemi bashkëqytetaren tonë përfaqësuese të denjë në mbarë botën.

Publicisti dhe studiuesi Emin Azemi, foli rreth rëndësisë së manifestimit “Drita e Gonxhes”, i cili filloi sot dhe do të zgjasë deri më 5 shtator, kur janë paraparë disa aktivitete kulturore e shkencore në nderim të kësaj figure të madhe të mbarë njerëzimit.

Sopranoja Besiana Mehmedi interpretoi këngën “Lamtumirë”, me tekst të Gonxhe Bojaxhiut (shkruar më 1928 gjatë shkuarjes në mision në Indi) dhe muzikë të Lorenc Antonit, shoqëruar me piano nga Shkëlzen Baftiari.

Në fund, nga disa delegacione u vendosën kurora lulesh të freskëta para pllakës përkujtimore të vendndodhjes së shtëpisë së lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nëna Tereze.

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …