Prishtinë/Shkup, 9 nëntor 2017 – Në përkujtim të 79 vjetorit të Natës së Kristaltë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Shoqata “Acta Non Verba” – Shkup, në Prishtinë dhe Shkup promovuan librin dhe ekspozitën dokumentare “Rrugëtimi”, nga autorët Skender Asani dhe Albert Rama.
Promovimi në Prishtinë u zhvillua në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, nën patronazhin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me pjesëmarrjen e shumë ambasadorëve dhe figurave të shquara nga jeta publike.
“Besojmë se kjo është mënyra më e mirë për të demonstruar vullnetin tonë përkrah popujve të qytetëruar të botës për kujtimin e luftës ndërkombëtare kundër fashizmit dhe antisemitizmit. Jemi rreshtuar në taborin e civilizimeve të botës për të dhënë mesazhe paqeje dhe harmonie mes popujve, pavarësisht racës, gjuhës, fesë apo kombit”, tha kryeministri Haradinaj.
Në këtë event folën edhe recensentët Mehmet Prishtina, Sevdail Demiri dhe Petrit Zorba.
Bashkautori Skender Asani, tha se është ky një angazhim për zbulimin e të vërtetave të pathëna deri më tani, për kontributin e shqiptarëve gjatë LDB-së. Dokumentet, fotografitë dhe dëshmitë janë autentike dhe paraqesin të dhëna interesante për shumë ngjarje dramatike të asaj periudhe.
Në mbrëmje, libri dhe ekspozita u promovuan edhe në Qendrën Informative Kulturore në Shkup, ku veç tjerash, fjalë rasti pati edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka.
Gjatë muaji maj, libri dhe ekspozita dokumentare trigjuhësore “Rrugëtimi – Патешествие – Journey”, u promovua edhe në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.