Si sot, para plot 100 viteve, më 30 shtator 1922, në Kalis të Kukësit, u hapa shkolla fillore e këtij fshati. Kjo datë nuk do të ishte historike sikur të mos lidhej me një figurë të çmuar të kombit tonë, siç është Hasan Prishtina, i cili ishte inicuesi dhe mbështetësi i hapjes së kësaj shkolle dhe shumë shkollave tjera anë e kënd trojeve shqiptare.
Kjo kremte e sotme lidhet edhe me një figurë tjetër të shquar që vjen nga ky fshat,miku im Gjeneral Kudusi Lame, një strateg i dalluar i luftës së UÇK-së dhe një kontribues i palodhur në rimëkëmbjen e kombit tonë përmes ideve e projekteve përbashkuese.
Me këtë rast, ITSHKSH ka sjellur disa tituj librash nga fondi i vet botues për bibliotekën e kësaj shkolle, si dhuratë, por edhe si shenjë respekti e mirënjohjeje ndaj atdhetarit Hasan Prishtina, i cili betejat për përparim kombëtar, i zhvilloi si në fushën e politikës, diplomacisë, ashtu edhe në atë të arsimit. Çështjen e arsimimit të popullit të tij, Hasan Prishtina e kishte një prej prioriteteve kryesore në fushëveprimin e tij politik e intelektual, andaj me iniciativën dhe me mbështetjen direkte të tij u bë e mundur futja e dritë së diturisë në kasollat e varfëra shqiptare në fillim të shekullit të kaluar.
ITSHKSH me këtë rast uron 100 vjetorin e shkollës 9 vjeçare në Kalis, me shpresë që emri dhe levdia e Hasan Prishtinës të vazhdojë të jetë burim frymëzimi për të sotmen dhe të ardhmen tonë.
Kalis, 30 shtator 2022