Lexuesi pasi ta ketë bërë këtë “udhëtim në kohë”, do ta ketë të qartë se shtypi zviceran ka shërbyer si një regjistrues besnik i rrugëtimit jetësor të Nënës Tereze, kurse autori ia ka dalë të përzgjedh shkrimet sipas një metodologjie të larmishme zhanrore, duke filluar nga lajmi, kronika, reportazhi e deri te komenti e intervistat e shumta.
Shkruan Emin AZEMI
Nëna Tereze , para se të njihej nga vet shqiptarët, ajo u njoh e u nderua nga të tjerët. Në Shqipërinë komuniste ajo ishte një “mollë e ndaluar”, kurse në Jugosllavinë titiste, Nëna Tereze trajtohej si një jugosllave me “origjinë shqiptare”.
Të ndodhur në mes të këtyre dy ekstremeve, shqiptarët endej dhe këndej Drinit, kishin perceptime të ndryshme mbi Nënën Tereze dhe për rrjedhojë kjo u manifestua edhe në vitet pasuese, kur figura e saj, dikund –dikund lartësohej , dikund –dikund mohohej fare.
Ky lavjerrës që lëvizte në mendësinë publike të shqiptarëve nuk kishte arritur të formojë një perceptim të qartë e objektiv mbi këtë figurë emblematike që shkonte përtej kufinjve kohor e hapësinor.
Nevoja për ta njohur më mirë dhe për të komunkuar me gjithë ata që Nënën Tereze e trajtuan si personazh kronikash e intervistash gazetareske, u shoqërua nga nj shtytje e brendshme e disa intelektualëve shqiptarë në diasporë të cilët vendosën ura komunkimi në mes të mediave të huaja dhe publikut shqiptar.
Në këtë dipotri duhet shikuar edhe librin “Raportimet e gazetave zvicerane për Nënë Terezën” (një udhëtim nëpër kohë) e autorit Zef Noka, i cili pas një hulumtimi disa vjeçar dhe duke qenë një gjurmuse i pasionuar i arkivave zvicerane (bashkë me Albert Ramajn), ka arritur që për lexuesin shqiptar të sjell një kronologji autentike të shtypit të shkruar zvivceran mbi një gamë të gjerë aktivitetesh në Nënës Tereze në Zvicër dhe jashtë saj.
Autori, i udhëhequr nga një pedantëri admiruese ka bërë “një udhëtim në kohë”, duke shfletuar gazetat zvicerane, ku Nëna Tereze paraqitet me të gjitha nuansat e angazhimit dhe dinamikës, si një protagoniste aktive e ngjarjeve e udhëtimeve dhe si një figurë influente që krijonte aty për aty situata që ndikonin drejpërdrejt në jetën e njerëzve.
Lexuesi pasi ta ketë bërë këtë “udhëtim në kohë”, do ta ketë të qartë se shtypi zviceran ka shërbyer si një regjistrues besnik i rrugëtimit jetësor të Nënës Tereze, kurse autori ia ka dalë të përzgjedh shkrimet sipas një metodologjie të larmishme zhanrore, duke filluar nga lajmi, kronika, reportazhi e deri te komenti e intervistat e shumta.
Gazetat që raportonin kishin në fokus një ngjarje konkrete që ndërlidhej me aktivitetet e Nënës Tereze, siomdos me vizitat e saj në Zvicër ku shquhej shpejtësia dhe saktësia e raportimit, siç mund ta vërejmë këtë në gazetat Luzerner Tagblatt, Vaterland, Entlebucher Anzeiger, Neusten Luzerner Nachrichten etj.
Perpceptimi i figurës së Nënës Tereze nga publiku shqiptar dhe ai i huaj pati kontrastet dhe specifikat e veta. Ky kontrast më së miri shprehet që në hyrje të librit, ku jepen dy skena krejt të ndryshme që kanë protagonist të përbashkët Nënën TerezeSkena e parë fillon me një përshkrim të një kohe kur Shqipëria ende nuk ishte liruar nga prangat e sistemit totalitar, e që ndikonte drejtpëdrejt në mënyrën e qasjes ndaj N. Tereze.
“Është shtator i vitit 1989, regjimi komunist ende sundonte Shqipërinë. Gazetari zviceran Hermann Schlapp udhëton drejt Shqipërisë. Ai i shkruan dhe boton përshtypjet e tij në Neue Zürcher Nachrichten me titullin: Shqipëria: Sekreti i harruar në Ballkan. Schlapp raportoi në atë kohë, ndër të tjera: “Një shaka në histori është sigurisht fakti që “shteti i parë ateist në botë” nxori një murgeshë katolike si laureate të Çmimit Nobel për Paqe: Nënë Tereza e Kalkutës është shqiptare. Doja të dija se çfarë mendojnë njerëzit për të. “Njerëzit nuk e kanë idenë për këtë. Mediat tona nuk raportojnë për këtë”. “Dhe ju,” këmbëngula unë, “a nuk keni dëgjuar kurrë për të?” – “Oh po, po, thjesht dëgjoj “Deutsche Welle” (kanalin me valë të shkurtra të Republikës Federale) dhe shikoj televizion italian ”, është ky fillimi i librit të cili autori e ndërlidh me një skenë tjetër, por me kohë dhe një konotacion krejt tjetër:
“Një ekspozitë për Nënë Terezën hapet më 24 shtator 2016 në dhomat e Arkivit Shtetëror në Lucern. Këtu ekspozohen dokumente të ndryshme trashëguara arkivit nga Eugen Vogt që janë gjetur në Arkivin Shtetëror të Lucernit… Këto dokumente tregojnë se Organizata Zviceriane e Ndihmës për Nënë Terezën, me qendër në Lucern, mblodhi 45 milionë franga donacione nga viti 1964 deri në vitin 1992.”
Autori e fillon kështu librin e tij, me idenë se shtypi zviceran kishte qenë mjaft aktiv në mbulimin e ngjarjeve që kishin të bënin me Nënë Tereze, madje edhe në rrethana e kontekste krejt të ndryshme dhe jo gjithmonë të favorshme për punën e gazetarëve. Por, me këtë autori fakton gjendjen kontrastive sociale, politike e mediatike në Shqipëri e Zvicër për sa i përket trajtimit të figurës së Nënës Tereze.
I konceptuar si një arkiv tematik e përmbajtësor ku, siç thotë autori, “lexuesi të mund të lexojë sekuencat e ngjarjeve dhe raporteve apo lajmeve për Nënë Terezën në mënyrë kronologjike deri në vdekjen e saj”, por edhe si një kuti ku ruhet memorja për një kronikë të gjatë kohe, ky libër hedh dritë mbi një mori faktesh të panjohura për jetën dhe veprën e Nënës Tereze, e që ndërlidhen edhe me vet natyrën hulumtuese të problematikave që ngre ky libër.
Libri i “Raportimet e gazetave zvicerane për Nënë Terezën” (një udhëtim nëpër kohë) i autorit Zef Noka, është i ndërtuar si strukturë mbi një material të bollshëm arkivor, ku jepen hollësi nga më të ndryshmet që e bëjnë të ndërlidhur figurën e Nënës Tereze me Zvicrën dhe me tema të shumta globale, ku ajo ose ishte protagonist kryesor, ose luante rolin e një katalizatori shpirtëror a social.
I ndarë në kapituj, me qasje e pikvështrime që zgjojnë kurreshtjen e lexuesit, libri fut në dioptrinë e vëzhgimit disa nga momentet më interesante nga fushëveprimi i Nënës Tereze, përmes qartësimit se si u bë i njohur angazhimi i Nënë Terezës në Zvicër, që autoi e shkoqit përmes shkrimeve që ka shkëputur nga shtypi zviceran, i cili filloi të raportojë atëherë kur misionit të saj të shenjtë iu bashkangjitën edhe dy zviceran.
“Një familje zvicerane që jetonte në Bombei në atë kohë i fton dy zviceranët, etërit jezuitë Volken dhe Vogt dhe Nënë Terezën për drekë. Eugen Volg ndikohet aq shumë nga ky takim saqë pas kthimit të tij në Zvicër do bëhet një forcë shtytëse e punës së Nënë Terezës. Vogt dhe shoqata “Organizata Zvicerane e Ndihmës për Nënë Terezën” bëjnë shumë për të ndihmuar që Nënë Tereza dhe puna e saj jo vetëm të mbështeten, por edhe t’i bëjnë të njohura”.
E përditshmja zvicerane die Tat, e datës 8 janar 1969, raportonte se nën një urë të Shakti Nagar gjendet një fëmijë një muajsh dhe dërgohet te murgeshat e Urdhrit të “Misionareve të Dashurisë”, e cila pastaj adoptohet nga një grua zvicerane.
Rreth 5 vjet më vonë, në vitin 1974, Nënë Tereza viziton Zvicrën. Më 25 gusht të po këtij viti u zhvillua një konferencë në Villa Petra në Lucern, ku mori pjesë edhe Nënë Tereza. Në këtë konferencë organizatorët dolën me një “surprizë” me rastin e 64-vjetorit të Nënë Terezës. “Fëmija i braktisur” i përmendur këtu i uroi Nënë Terezës ditëlindjen dhe i dhuroi një buqetë me lule.
Këto janë shkëputje nga libri që na japin një pasqyrim tepër plastik mbi njerëzit që fatet i kishin lidhur me misionin e shenjtë të Nënës Tereze
Duke ndjekur nga afër lëvizjet e Nënës Tereze nëpër botë, vëmendja e gazetave zvicerane nuk mungonte as në një ngjarje të madhe që e nderonte emrin dhe veprën e saj.
Gazeta Freiburger Nachrichten e 8 janarit 1971, siç evidenton autori në librin e tij, raportonte për “Çmimin e Paqes Gjoni XXIII” që iu dha Nënë Terezës. Ky artikull informon pse Pali VI. i dha asaj Çmimin e Paqes nga Fondacioni Balzan të Papa Gjon-it XXIII. ..Me dhënien e çmimit Nënë Terezës, sipas kësaj gazete, Papa sfidoi fuqinë e parasë me fuqinë e varfërisë, vetëmohimit dhe dashurisë si element zhvillimi, duke saktësuar se shumën e parave që e shoqëron çmimin, do t’iu sillte dobi të varfërve, pasi që ato do të përdoren për të ndërtuar një vendbanim tjetër për lebrozët të quajtur “Fshati i Paqes”.“Nënë Tereza viziton Zvicrën” , është një kapitull përmbledhës në të cilin autori është kujdesur që të gjurmojë gazetat kryesore zvicerane që raportonin mbi këtë vizitë, e ku kuptojmë se më 25 gusht 1974 u zhvillua një konferencë në Villa Petra të Lucernit, në të cilën ishte e ftuar edhe Nënë Tereza. Kjo konferencë në atë kohë u organizua nga Eugen Vogt. Vogt takoi Nënë Theresa 10 vjet më parë (1964). Në këtë konferencë foli edhe vetë Nënë Tereza, e cila iu përgjigj shumë pyetjeve të pjesëmarrësve të interesuar për punën e saj. Gazeta Vaterland raportoi për këtë vizitë.
Pas vizitës së Nënë Terezës në Lucern në mënyrë të hollësishme shkruan gazetat Luzerner Tagblatt, Vaterland dhe Entlebucher Anzeiger. Në gazetën Neusten Luzerner Nachrichten, një prezantim mbresëlënës i punës së Nënë Terezës u publikua në rubrikën “5 minuta me Kornelinë”, që lexohet para se gjitha nga gratë, thuhet ndër të tjera në librin “Raportimet e gazetave zvicerane për Nënë Terezën” (një udhëtim nëpër kohë) e autorit Zef Noka.
Autori për të ilustruar autenticitetin e raportimit të gazeatve zvicerane, sjell edhe fragmente shkimesh dhe autorësh, siç vepron edhe me gazetarin Hans Kurmann i gazetës Luzerner Tagblatt të cilit Nëna Tereze i kishte lënë një përshtypje të madhe: “Fytyra e saj, në kokë me një shami e thjeshtë, flet më shumë se goja e saj” , shkruante gazetari Kurmann, me ç’rast që atëherë guxoi të bëj profecinë: “Ne guxojmë të themi drejtpërdrejt: Nënë Tereza është një shenjtore”.
Në një artikull të gjatë të Martin Peter në Walliser Bote, të 11 majit 1976, vjen analiza me titull “India në kërkim të identitetit dhe vetëbesimit kombëtar”, ku autori analizon problemet ekzistuese në Indi. Ai shkruan ndër të tjera se Nënë Tereza ndihmon disa që ndodhedhin në shtratin e vdekjes, një grusht fëmijë të vegjël të braktisur, dhe për punën e saj flasin të gjithë.
Si pjesë e shkrimeve në gazetat zvicerane, ka raportime edhe për organizimet ku ishte e pranishme edhe Nënë Tereza. Kongresi i 41-të Eukaristik në vitin 1976 tërhoqi vëmendjen e gjerë. Gazeta të ndryshme si Walliser Volksfreund, Walliser Bote dhe Freiburger Nachrichten raportojnë për këtë.
Murgesha – Nënë Tereza – tani ndodhet në Kongresin Botëror Eukarist në Filadelfia (SHBA), ku po mbahet në të njëjtën kohë një “Simpozium mbi urinë”, shkruante Walliser Bote në atë kohë. Në Filadelfia morën pjesë 60 kardinalë dhe rreth 500 ipeshkvinjë. Papa u përfaqësua nga kardinali australian i Kurisë James Knox, që ishte, si arqipeshkëv i Melburnit, nikoqir i Kongresin paraprak të vitit 1973.
“Engjëlli i të varfërve” në listën e kandidatëve për Çmimin Nobel për Paqen, është titulli i gazetsës Neue Zürcher Nachrichten, e cila në tetor 1976 informonte se Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel kishte vendos të mos ndante Çmimin Nobel për Paqe për këtë vit, me ç’rast botohet edhe reagimi i “Qendrës së Informacionit profesionet e Kishës” në Freiburg, e cila e përshkroi këtë vendim si “të paktën befasues. ” Në këtë lajm thuhej më tutje: «Sipas qendrës së informacionit të ngritur nga Konferenca e Ipeshkvijve Gjermanë për Promovimin e profesioneve të Kishës, çmimi për Nënë Terezën, e cila ka ndihmuar njerëz të panumërt në nevojë që nga viti 1946 me motrat e saja në lagjet e varfra të Kalkutës dhe është kthyer në një simbol dashurie për paqen në mbarë botën, vetëm kjo do duhej t’i ishte mjaftuar Komitetit Norvegjez për ta nderuar. Vendimi është edhe më për të ardhur keq pasi shumë të rinj në veçanti shohin një shenjë shprese në këtë formë të dashurisë së krishterë për të afërmin e tyre.”
Nënë Tereza, siç mund ta shohim këtu, ishte propozuar tashmë në vitin 1976 si kandidate për Çmimin Nobel për Paqen. Asaj iu desh të priste edhe 3 vjet për të marrë çmimin. Lajmet e mëvonshme na thonë se ajo përmendet si kandidate për çmimin Nobel që në vitin 1975.
“Çmimi Nobel i Paqes për Nënë Terezën” ishte titulli i njoftimit të Thuner Tagblatt. Sipas kësaj gazete, “Vatikani” ka pranuar “me shumë kënaqësi” njoftimin “për ndarjen e këtij çmimi”. Në informimin për biografinë, Thuner Tagblatt shkruan se “Nënë Tereza u lind më 27 gusht 1910 me emrin Agnes Bojaxhiu si bijë e prindërve shqiptarë në qytetin sot jugosllav të Shkupit”. Në rubrikën “Komentet e ditës” në faqen e parë të Walliser Bote të 19 tetorit 1979, gazeta njoftoi se Çmimi Nobel për Paqe i ishte dhënë një murgeshë: Nënë Terezës. Për këtë mund të shprehim disa mendime, shkruante gazeta, dhe publikon një koment me titullin: “Nënë Tereza dhe ne”.
Nënë Tereza prezantohet në faqen e parë në formë komenti nga Erich Camenzind “Gonxheja e Shkupit” në rubrikën “Pikëpamje” të gazetës Freiburger Nachrichten të 19 tetorit 1979.
“Nënë Tereza”, fituesja e sivjetme e çmimit Nobel për Paqe, jo vetëm që ka heshtur kritikat e zakonshme për zgjedhjen e fituesit gjatë 10 viteve të fundit, por ka përmbysur edhe ceremoninë tradicionale: Në vend të banketit në prag të ceremonisë së ndarjes së çmimit, paratë do shkojnë për të uriturit në Kalkuta, shkruan Freiburger Nachrichten e 10 dhjetorit 1979. Ekuivalenti i 135 të ftuarve në banket mund të ushqejë për një ditë 10.000 deri në 15.000 njerëz të uritur, konstaton gazeta.
Pas marrjes së çmimit Nobel, Nënë Tereza tërhoqi vëmendjen e mediave në Jugosllavinë komuniste. Walliser Bote publikoi një njoftim të shkurtër se Nënë Tereza dëshiron të flasë me Tito-n. Në një bisedë të botuar me gazetën e Beogradit “Novosti”, shkruan Walliser Bote më 23 tetor 1979, Nënë Tereza, e cila ishte shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqen, theksoi se ajo ndjehet si nënshtetase jugosllave. Ndër të tjera ajo theksoi se dëshiron një takim me presidentin jugosllav Tito. Gazeta zvicerane thekson më tej se “shtypi jugosllav deri më tani e ka shmangur gjithmonë përmendjen e nënshtetësisë jugosllave të murgeshës rregulltare dhe se në vend të kësaj shtypi jugosllav potencon prejardhjen e saj shqiptare”.
Gazetat zvicerane kishin shkruar edhe për vizitën e Nënës Tereze në vendlindjen e saj. Walliser Bote në mesin e janarit 1980 publikoi informacionin se fituesja e çmimit Nobel e vitit të kaluar në mars do të vizitoj vendin e saj. Në njoftim thuhej: “Administrata komuniste e kryeqytetit të Maqedonisë, Shkupi, ka ftuar zyrtarisht Nënë Terezën, e cila lindi atje 70 vjet më parë si Agnes (Gonxhe) Bojaxhiu, vajza e një dyqanxhiu modest shqiptar. Të ardhurat nga shfaqjet e ndryshme që do të zhvillohen për nder të gruas më të famshme të qytetit do i destinohen për misionit që ajo themeloi 30 vjet më parë në Kalkuta të Indisë”. Walliser Volksfreund gjithashtu raportoi për këtë.
Ndërkaq me rastin e ditëlindjes së 70-të të Nënë Terezës, 27 gusht 1980, Walliser Bote publikon një portret të Nënë Terezës me titull: “Një jetë e realizuar”.
Në fund të tetorit 1983, një thirrje e përbashkët e Nënë Terezës dhe Frère Roger von Taizé të titulluar ” Kapërcimi i shkretëtirave shpirtërore…” me përmbajtjen e plotë, që do riprodhohet edhe këtu, u botua në Neue Zürcher Nachrichten:
«Kapërcimi i shkretëtirave shpirtërore…
«Zona të mëdha të tokës janë të mbuluara me shkretëtira shpirtërore. Aty ndeshesh me të rinj që janë formësuar nga braktisja njerëzore dhe një dyshim gjithëpërfshirës, i shkaktuar nga frakturat që arrijnë deri në thellësi e të rinjve.
Edhe kur janë të etur për një jetë shpirtërore, aq shumë të rinj pushtohen nga dyshimi. Ata nuk janë në gjendje t`ia dhurojnë besimin Zotit, të besojnë, sepse nuk kanë gjetur besim tek ata të cilëve u janë besuar për shkak të rrethanave të tyre. Prishja e marrëdhënieve i ka plagosur ata në mënyrë të pafajshme në fëmijërinë e tyre ose në adoleshencën e hershme. Kjo shkakton skepticizëm dhe dekurajim: pse të jetojmë fare? A ka jeta ende një kuptim?
Nënë Tereza nuk e krsente veten të vizitonte edhe vendet e prekura nga krizat e ndyrshme, përfshi edhe luftërat.
Gazeta Walliser Volksfreund shkruan në fund të dhjetorit 1984: “Ndërsa Papa Gjon Pali II. u drejtohej besimtarëve në mbarë botën, Nënë Tereza udhëtoi në Etiopi për të ndihmuar”.
Një lexues i rregullt i gazetave zvicerane , nuk ka mundur të mos informohej edhe mbi çastete fundit të jetës së N. Tereze, kjo falë raportimit burimor, siç veproi edhe gazeta Walliser Bote e cila që në faqen e parë publikoi lajmin me titullin: “Nënë Tereza ka vdekur”, për të vazhduar në faqen e dytë, me një mestitull tjetër : “Misionarja e bamirësisë nuk jeton më”. Këtu raportohet më në detaje për të dhe punën e saj.
Në fund të librit autori përmes një Fjale përmbyllëse ka sqaruar se ajo që është trajtuar në këtë libër, nuk është përfundimtare por vetëm si një hyrje. Sepse, siç e thotë autori, në fushën e larmishme dhe të gjerë mediatike në Zvicër përfshirja të gjitha gazetave për kornizën kohore të konsideruar këtu do të ishte shumë sfiduese dhe shumë e vështirë.
Ky punim është një falënderim për të gjithë zviceranët për mbështetjen e pashprehur të madhe dhe të palodhshme që i kanë dhënë veprës së Nënë Terezës, por edhe një përpjekje për të ofruar një pamje të kontakteve të para të Nënë Terezës me Zvicrën, teksa ajo po bëhej gjithnjë e më e popullarizuar te njerëzit këtu dhe puna e së cilës në Zvicër hasi në mbështetje të konsiderueshme financiare, thotë autori.
Këtë libër duhet vlerësuar edhe për faktin se ai shërben si një burim bibliografik për të gjithë studiuesit dhe të interesuarit e pasionuar të cilët do të donin t’i zgjeronin njohuritë mbi fushëveprimin e gjerë të Nënës Tereze.
Gjithashtu libri është në vetvete edhe një model i përkushtimit të një studiuesi, siç është Zef Noka, i cili ka bërë një punë të vyer por edhe tepër të lodhshme në përzgjedhjen dhe në komentimin e shkrimeve të gazetave zvicerane kushtuar Nënës Tereze. Ngjashëm mund të veprohet edhe në ndonjë shtet tjetër të Evropës, ku Nënë Tereza gjitashtu ka qenë në fokusin e shtypit të atij shteti.
Falë këtij përkushtimit të autorit Zef Noka dhe gjithë atyre që e ndihmuan atë në gjetjen dhe në përzgjedhjen e materialit, ne sot kemi një pasqyrë, një kronikë të gjatë të raportimeve të shtypit zviceran dhe të admirimit të populllit zviceran ndaj figurës emblematike të Nënës Tereze.
Ky libër do të duhej të futej edhe në progarmet studimore të fakulteteve të gazetarisë, si një literaturë bazike mbi raportimin e shtypit të huaj për një personalitet i dalë nga mesi ynë, i cili u bë objekt informacioni në një rrafsh global mediatik.
Pa këtë libër, lexuesi shqiptar nuk do të kishte njohuri mbi praninë hershme të Nënës Tereze në sferën publike zvicerane. Shkup, 01 shtator 2022