Shkup, 4 shkurt 2018 – Sot morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta e prof. dr. Remzi Nesimit, njëri nga shtyllat e albanologjisë, arsimit dhe edukimit të brezave në Maqedoni dhe më gjerë.
Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në gjuhësinë dhe kulturën shqiptare është i pazëvendësueshëm. Ai la gjurmë të thella në shumë disiplina shkencore, të cilat do të kujtohen gjithmonë.
I urtë, i çiltër dhe i kthjellët në mendime, prof.Nesimi ishte edhe një mik i Institutit tonë. Edhe pse me shëndet të dobët, mori pjesë në konferencën tonë shkencore në vitin 2012, me rastin e shënimit të 40 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Si ish-delegat nga Maqedonia i atij kongresi gjithëkombëtar në Tiranë, u shpreh me plot optimizëm se “ëndrrat e brezave tanë u bënë realitet, dhe ne sot kemi një gjuhë të njësuar shqipe”.
Veprat, vlerat dhe fjalët e prof.dr.Remzi Nesimit, nuk do të harrohen kurrë!
Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe studentëve prof.dr.Remzi Nesimit.
Me respekt,
Dr. Skender Asani, drejtor
Prof.dr.Remzi Nesimi (13.06.2012) duke folur në konferencën shkencore
kushtuar 40 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit