Korçë, 25.10.2109 – Poeti lirik nga më rrallët në mbarë hapësirën shqiptare, Lasgush Poradeci, u përkujtua në 120 vjetorin e lindjes së tij, me një konferencë shkencore kombëtare në Universitetin ‘Fan.S.Noli’ të Korçës.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ishte njëri nga bashkorganizatorët e kësaj konference, ku morën pjesë studiues nga Tirana, Prishtina e Shkupi, anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Institutit Albanologjik të Prishtinës, Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, pedagogë e studentë.
Nga ITSHKSH-Shkup, me kumtesa u paraqitën: Prof.dr.Qemal Murati (“Lasgush Poradeci në gjuhë”), dhe Emin Azemi (“Sensi kritik e publicistik i poetit Lasgush Poradeci”).
Rektori i Universitetit të Korçës, prof. dr. Ali Jashari, vlerësoi me certifikatë mirënjohjeje vajzën e poetit të madh pogradecar, Maria Gusho, për punën e saj në evidentimin dhe nxjerrjen në dritë të trashëgimisë letrare të Lasgushit.