Shkup, 9.11.2019 – Me praninë e kryetarit Pendarovski, ministrit Ademi, ambasadorë, drejtorë, deputetë, krerë fetarë dhe personalitete tjera të shquara të jetës publike, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, shëno përvjetorin Natës së Kristaltë, kur 81 vjet më parë në Gjermani filloi dhuna antisemite.
Kryetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se “Nata e Kristaltë” na përkujton se ne kurrë nuk duhet të jemi vëzhgues pasiv të shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe shkeljes së dinjitetit tonë të qenësishëm njerëzor, dhe se kurrë nuk duhet të lejojmë që ato të përsëritet. “Në vend të paradigmës nacionaliste që çoi në dy luftërat botërore, Bashkimi Evropian bazohet në paradigmën kozmopolite të qytetarëve evropianë, Unionin ku bën pjesë edhe rajoni ynë”, u shpreh Pendarovski.
Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se vërtet ne nuk kishim mundësi të ndihmojmë në Natën e Kristaltë më 1938, por jemi të kënaqur që në këtë 81-vjetor jemi mbledhur këtu për ta kujtuar atë ngjarje makabre dhe për të dëshmuar se në cilën anë ishim ne atëbotë. “Ne sot mburremi që para nesh jetuan njerëz që e vunë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar jetë të fqinjëve të tyre hebrenj. Ata njerëz ndoshta nuk ishin të njohur për ne, por në qytetet si Shkupi, Manastiri e Shtip kemi shembuj të heroizmit të pashembullt, kur njerëz të thjeshtë, por vetëmohues, arritën të shpëtojnë hebrenj nga thonjtë e nazizmit”, tha Asani. Ai më tej shtoi se ne i përkasim një populli që nuk i dorëzoi fqinjët e vet dhe kjo është një vlerë që duhet të na bëjë krenarë dhe njëherazi të jetë leksion sot për ta dashur dhe respektuar atë që jeton pranë nesh, pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike, religjioze dhe politike. Sepse, mbi të gjitha, ne jemi njerëz dhe ky është identiteti jonë parësor.
Ndërsa, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, tha se veçanërisht ndjehet i lumtur, që kontribuuan në jetësimin e kërkesës së organeve të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, për themelimin e Departamentit të ri për Studimin dhe Hulumtimin e Holokaustit të hebrenjve. “Dihet botërisht se shqiptarët ishin nga popujt e rrallë të Evropës, që në kohërat më të vështira ndihmuan popullin e rrezikuar hebre. Shqiptarët dëshmuan se humanizmi është një vlerë kulmore dhe universale, për të cilin vlen edhe të bëhen sakrifica! Raste të tilla të shpëtimit të jetëve, kishim në gjithë gjeografinë shqiptare. Dhe, së fundi, një fushatë hulumtuese shumë të guximshme ka ndërmarrë edhe Instituti i Trashëgimisë Shqiptare, për të nxjerrë në pah raste të reja të shpëtimit të hebrenjve, që deri më tani kanë qenë të tjetërsuar apo të mjegulluar”, u shpreh ministri Ademi.
Më tej, fjalë rasti patën ambasadori izraelit, Dan Orian (përmes video-projeksionit), ambasadori gjerman Thomas Gerberih, i pranishëm në event, si dhe autorja e ekspozitës “Rrugës së të drejtëve”, Rachel Levi Drummer, si njëra nga anëtaret e familjeve të mbijetuara nga Holokausti.