Shkup, 7.11.2018 – Sot një delegacion i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në përbërje dr. Skender Asani – drejtor, dr. Zeqirija Ibrahimi – sekretar shkencor, dr. Sefer Tahiri dhe mr. Nora Maliqi – punëtorë shkencor, realizuan një vizitë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, ku u pritën nga Kryeministri Zoran Zaev. Në takim, drejtori Asani e njoftoi kryeministrin për rolin e rëndësishëm dhe konstruktiv shkencor, që po luan Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe foli për rritjen e vëllimit të punës dhe veprimtarisë hulumtuese shkencore.
Më tej në takim u fol për problemet me të cilat ballafaqohet Instituti, siç është mungesa e hapësirave për punë dhe një objekt adekuat dhe dinjitoz, siç e kërkon nevoja e kohës. Për këtë kryeministri Zaev, duke vlerësuar rëndësinë e punës së Institutit, por edhe nevojën reale që ka, ndërsa meqë Qeveria edhe është themelues i këtij institucioni, mori përsipër që kjo çështje të mbyllet sa më shpejt. Ai premtoi se do t’i angazhojë shërbimet qeveritare që ky problem të zgjidhet dhe Instituti të vazhdojë të punojë normalisht. Në të vërtetë, për këtë çështje është angazhuar edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, dr. Arbër Ademi, për çka përfaqësuesit e Institutit shprehën falënderim.
Gjatë bisedës u fol edhe për projektet hulumtuese shkencore, për zhvillimin e të cilave kryeministri shfaqi admirim dhe interes të veçantë, duke treguar interes që nën patronazhin e Qeverisë të organizohet Seminari i ardhshëm Ndërkombëtar i Ballkanologjisë.