Kontributet me vlera kolosale të studiuesve gjerman – “Ditët e alfabetit” në ITSHKSH

Sot, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u zhvillua dita e tretë e aktiviteteve të manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit” – IV e, që sivjet kanë temë boshte trajtimin shkencor të kontributit që kanë dhanë studiuesit gjerman për shkencën e gjuhësisë shqiptare. Albanologë si: Gustav Mayer, Nobert Jokli, Maksimilian Lambreci, Johan G. Von Han, kanë dhënë një kontribut kolosal dhe me vlerë të qenësishme si për historinë e gjuhës ashtu edhe për vetë historinë e popullit shqiptar, u tha mes tjerash në hapjen e sesionit shkencor “Studime albanologjike në gjuhën gjermane”. Në ditën e parë  të këtij sesioni, u sollën trajtesa interesante dhe me shumë prurje të reja shkencore rreth studimeve të këtyre albanologëve në zë të shkollës gjermane dhe austriake.

“Dija albanologjike nuk do të ishte kjo që është sot, po qe se pjesë e kronologjisë së studimeve albanologjike nuk do të ishte edhe shkolla gjermane, e cila në këtë dije zë një vend të veçantë e shumë meritor dhe që i prinë prurjeve të studimeve që vijnë nga të huajt. Kjo shkollë, në shumë drejtime të studimeve albanologjike ka vënë themele fillestare, ndërsa ka spikatur në krahasim me shkollat e tjera edhe në kërkimet shkencore e zgjidhjen e shumë çështjeve jo vetëm gjuhësore, por edhe historike e etnokulturore të etnisë shqiptare”, tha në fjalën e saj të rastit prof.dr. Hidajete Azizi, udhëheqëse e Departamentit të studimeve të gjuhës në ITSHKSH. Me gjenezën gjermane të studimeve albanologjike, plotësoi më tej ajo, lidhet edhe njëri ndër dokumentet e para të shkruara të gjuhës shqipe, “Fjalorthi” i udhëtarit gjerman Arnold von Harff-it (1496), akoma pa u botuar vepra e parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut. Ky fjalorth zë vendin e shkrimit të parë për gjuhën shqipe ndër të huajt. Në çdo shekull vijues e deri më sot, sikurse tha prof..dr. Azizi, interesi për gjuhën e kulturën shqipe nga ana e studiuesve gjermanë jo vetëm që do të jetë i pranishëm, por do të avancojë bindshëm e do të zë një vend të pa luhatshëm në dijen albanologjike.

Sesionin shkencor të ditës së mërkurë e hapi studiuesja nga Shqipëria Elda Gjana e cila u prezantua me kumtesën “Dialektet e shqipes në studimet e albanologëve gjermanë Gustav Majer dhe Nobert Jokli”. Me mjaft interes u ndoqën edhe kumtesat “Çshkruante Gustav Majer për letërsinë shqipe në vitin 1883” e Anton Nik Berishës; “Gustav Majer dhe dorëshkrimi ‘Albanesissche Gramatik e vitit 1886” e studiuesve Xhafer Beqiraj dhe Vilson Markut, si dhe kumtesa “Ndihmesa e Maksimilian Lambercit për njësimin e gjuhës së përbashkët letrare shqipe” e studiuesit Izer Maksuti.

Të enjten, pra nesër, do të jetë sesioni shkencor i radhësh ““Studime albanologjike në gjuhën gjermane”, me studiues të tjerë që do të flasin kryesisht për kontributin e Hanit dhe Lambercit në studimet e shqipe, ndërsa “Ditët e Alfabetit” do të vazhdojnë aktivitete edhe në datat 21 dhe 22 nëntor me promovim librash, ekspozita dhe konferenca shkencore dedikuar 50 vjetorit të Kongresit të drejtshkrimit.

Viti 2022 përkon edhe me 15 vjetorin e themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i cili është ndjekur nga një varg aktivitetesh, me fokus të veçantë në promovimin e ngjarjeve dhe personaliteteve që me studimet e veta kanë ndriçuar çështje të rëndësishme identitare shqiptare – një prej të cilave padyshim se është edhe gjuha.

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH ORGANIZON KONFERENCËN SHKENCORE “ZEJTARIA DHE PUNIMET ARTIZANALE NË TREVAT SHQIPTARE”

 INSTITUTI I TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE E KULTURORE TË SHQIPTARËVE – SHKUP   organizon konferencën shkencore vjetore “Java …