Konferencë shkencore kushtuar historianit Ramiz Abdyli

Shkup, 10.06.2021 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në përvjeorin e 143-të të Lidhjes së Prizrenit, u mbajt konferenca shkencore “Ramiz Abdyli, profesori dhe studiuesi model i historiografisë shqiptare”.

Konferencën e hapi drejtori i Institutit, Skender Asani, i cili theksoi se sot na ka bërë bashkë prof.dr. Ramiz Abdyli dhe 143 vjetori i Lidhja Shqiptare e Prizrenit. “Jo rastësisht po e vendosi në një korrelacion emrin profesorit me këtë ngjarje të lavdishme të popullit shqiptar, për arsye se ishte pikërisht ai që injektoi në formimin tim nervin e reagimit profesional ndaj proceseve historike që ishin të lidhura ngushtë me Shkupin dhe ngjarjet që e bënin dikur këtë qytet një amfiteatër të madh ku ballafaqohej Lindja dhe Perëndimi, robëria dhe liria, lufta për shtet kombëtar dhe ikja në periferi të atij shteti”, tha Asani. Sipas tij, prof. Ramiz Abdyli paraqet aktualisht një prej emrave më emblematik në historiografinë shqiptare, vepra e të cilit do të mbetet një prej dhuratave më të çmuara në trashëgiminë tonë të shkruar. Ai pati një qëndrim konstant ndaj të vërtetës historike, duke i dhënë asaj bazën e argumentimit shkencor, që e mbështeti në hulumtime  disadekadëshe.

Aktivitetin e përshëndetën deputeti Arbër Ademi, drejori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ylber Sela dhe stërnipi i Hasan Prishtinës, studiuesi Mehmet Prishtina.

Më pas u zhvillua konferenca shkencore, ku me temat e tyre u paraqitën studiuesit: Marenglen Verli nga  Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë: “Ramiz Abdyli, profesori dhe miku i nderuar”;  Naim Halimi – ITShKSh në Shkup: “Kontributi i prof. dr. Ramiz Abdylit në historiografinë shqiptare”; Fehari Ramadani nga Universiteti “Fadil Sulejmani” në Tetovë: “Ramiz Abdyli, profesori që motivonte”; Qerim Dalipi nga Universiteti “Fadil Sulejmani” në Tetovë: “Ramiz Abdyli dhe kontributi i tij për historiografinë shqiptare (deri në Lidhjen e Prizrenit)”, Isamedin Azizi – ITShKSh në Shkup: “Kontributi shkencor i profesor Ramiz Abdylit në Institutin e Historisë Nacionale në Shkup”; Emin Azemi nga ITShKSh në Shkup: “Mbi profilin intelektual, shkencor e akademik të prof.dr. Ramiz Abdylit”; Fitim Rifati nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë: “Vështrimi mbi veprat e botuara të prof. dr. Ramiz Abdylit, në kuadër të Institutit të Historisë në Prishtinë”; Alban Dobruna nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë: “Kontributi i prof. dr. Ramiz Abdyli në revistën shkencore ‘Kosova’”, dhe Besnik Rameti nga ITShKSh në Shkup: “Prof. dr. Ramiz Abdyli, si ligjërues dhe rektor i Universitetit të Tetovës”.

Më pas u bë promovimi i dy veprave të reja shkencore të autorit Ramiz Abdyli, botuar nga ITSHKSH – Shkup: “Shkupi në Lidhjen e Prizrenit 1878-1881” dhe “Veprimtaria e Klubit të Shkupit 1908-1012”. Me këtë rast, referuan studiuesit Skender Asani, Sevdail Demiri dhe Emin Azemi.

Në fund, të pranishmit i përsëndeti autori Ramiz Abdyli , i cili e falënderoi Institutin dhe studiuesit për referimet e tyre dhe nderin e bërë.

Facebook Koment

Shikoni gjithashtu

ITShKSh me elaborat për shpalljen e Nënës Tereze “Pasuri kombëtare”

Shkup, 1.6.2021 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITShKSh), përkatësisht Departamentit për …