Sipas agjendës së paraparë, dita e dytë e konferencës mbarëkombëtare “Një komb – një gjuhë” është mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Në këtë konferencë fjalën e hapjes e pati drejtori i Institutit Albanologjik, prof. Hysen Matoshi, i cili foli për dinamikën e organizimit të ngjarjeve rreth Kongresit të Manastirit dhe të Kongresit të Drejtshkrimit. Mes tjerash, drejtori Hysen Matoshi u ndal në rëndësinë që ka gjuha standarde për unifikimin e kombit, duke e veçuar shembullin që në këtë 50-vjetor e kanë dhënë tre institucionet shkencore, si Akademia e Studimeve Albanologjike i Tiranës, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.
Pas tij, kumtesën qendrore të kësaj konference e mbajti Akad. Rexhep Qosja, si pjesëmarrës dhe nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit. Në një elaborim filologjik dhe historik, ai tha se “Kongresi i Drejtshkrimit është ngjarja më e madhe kulturore e kombit tonë”.
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në fjalën e tij theksoi se: “Duke e përfaqësuar Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, që sivjet shënon 15-vjetorin e themelimit, dhe kështu duke u bërë zëri i albanologjisë në Maqedoninë e Veriut, dua të ndaj me ju kënaqësinë se alfabeti dhe drejtshkrimi na kanë integruar si komb edhe në kuptimin gjeografik. Kongresi i Alfabetit, që është mbajtur në Manastirin e Maqedonisë së Veriut, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe Kongresi i Drejtshkrimit të Tiranës, janë tri pikat që më mirë se gjithçka e hartëzojnë identitetin tonë të përbashkët kombëtar. Si për koincidencë, kjo konferencë dhe këto aktivitete shkencore po bëjnë përsëri bashkimin e kombit, duke na mësuar se kufijtë politikë janë trivialë dhe se neve na pret një e ardhme europiane pa kufij.”.
Konferencën e përshëndeti edhe zëvendësrektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof.. Valter Memisha, që po ashtu e theksoi rëndësinë që ka gjuha standarde në kohezionin e kombit, si dhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, prof. Ylber Sela.
Sipas marrëveshjes ndërmjet të ri institucioneve, edhe sot në Prishtinë me kumtesa u paraqitën nga dy pjesëmarrës të Shkupit dhe të Tiranës. Nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup në sesionin e Prishtinës morën pjesë studiueset Dr. Hidajete Azizi dhe Mr. Idaete Sinani.