Prishtinë, 11 qershor 2019 – Sot në Prishtinë i filloi punimet Konferencën shkencore ndërkombëtare “Kosova – rruga drejt lirisë”, nën organizimin e Institutit të Historisë së Prishtinës, Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Konferenca mbahet me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga pushtuesi serb, dhe në të marrin pjesë emra të njohur të historiografisë.
Përpos fjalëve përshëndetëse të zyrtarëve të lartë shtetëror, konferenca u hap me fjalë rasti nga drejtorët e tre instituteve respektive shkencore të trekëndëshit Prishtinë-Tiranë-Shkup, përkatësisht Sabit Syla, Marenglen Verli dhe Skender Asani.
Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se fakti se shqiptarët e Kosovës, por jo vetëm, arritën që para 20 vjetëve ta kthejnë gjithë botën e qytetëruar në anën e tyre, përbën momentin më të rëndësishëm në gjithë historinë e kombndërtimit tonë. “Falë këtij kontributi, shekulli XX nuk përfundoi pa u vendosur e drejta e munguar edhe për një komb, që aq shumë e deshi lirinë dhe sakrifikoi, investoi e punoi për të. E kur jemi në këtë përvjetor, nuk mund të mos e ndërmendim edhe një fakt tjetër, që koincidon edhe me një përvjetor tjetër po aq të madh. Sivjet e shënojmë edhe 100-vjetorin e Konferencës së Parisit, që do të mbahet mend si momenti kur bota – përmes zërit të presidentin amerikan Udrou Uillson dhe 14 postulateve të tij – e tejkaloi ekspansionizmin në favor të uillsonizmit ose vetëvendosjes së popujve, me ç’rast edhe ne shqiptarët arritëm ta bëjmë shtetin tonë në Ballkan”, tha Asani.
Sipas tij, derisa viti 1919 shënon njohjen e Shqipërisë londineze, kjo falë angazhimit amerikan, derisa më 1999 e shpëtuam qenien tonë kombëtare në Kosovë, përsëri falë ndërhyrjes amerikane, por edhe vendosmërisë europiane, më 2019 ka ardhur koha që ta vulosim e konsolidojmë edhe shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, Republikën e Kosovës. Dhe, ashtu si para 100 vjetëve dhe si para 20 vjetëve, ne jemi të bindur se kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk do të ndodhë pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe kjo kohë e pret Uillsonin e saj.
Në këtë konferencë, nga ITSHKSH-Shkup, me kumtesa paraqiten studiuesit: Minir Ademi dhe Isamedin Azizi.