Shkup, 9.5.2022 – Mbrëmë Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup e vizioi një grup prej rreth 50 shqiptarësh që jetojnë dhe veprojnë në Selanik të Greqisë, nën organizimin e unionit Komuniteti Shqiptar i Selanikut. Grupi udhëhiqej nga kryetari i kësaj organizate, shkrimtari dhe përkthyesi Luan Zyka, cili është një nga zërat më artikulues të interesave të komunietit shqiptar atje.
Delegacioni i cili në vizitën dyditore në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, shoqërohej nga bashkëpunëtori i jashtëm i Institutit Mehmet Prishtina, u prit nga drejtori Skender Asani dhe punëtorë tjerë shkencorë.
Me këtë rast, mysafirët e veçantë u njoftuan më gjerësisht me punën e ITShKSh-së për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, historike e shpirtërore të shqiptarëve të Shkupit dhe Maqedonisë së Veriut. Ata në mënyrë të veçantë u interesuan për të kaluarën ilire-shqiptare të Shkupit, për fatin e shqiptarësisë së Shkupit, për veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, Gonxhe Bojaxhiut e Hasan Prishtinës.
Ndryshe, Unioni “Komuniteti Shqiptar i Selanikut”, është organizatë jo shtetërore, jo fitimprurëse dhe jo partiake, e njohur ligjërisht nga Gjykata e Selanikut në Greqi në janar të vitit 2021. Krijimi i Komunitetit Shqiptar të Selanikut përbën një zhvillim të natyrshëm të organizimit të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Selanik. Misioni kryesor i këtij unioni është bashkimi dhe organizimi i qytetarëve me prejardhje nga Shqipëria me synim faktorizimin e tyre me të drejta të dhe detyrime të barbarta të siguruara nga ligjet demokratike, njëkohësisht duke respektuar dhe zhvilluar vlerat e traditave të tyre kulturore dhe kombëtare.