Komunikatë për shtyp – Ceremoni komemorative për nder të figurës, profesorit dhe intelektualit Naim Ibrahimi nga Kumanova

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup organizoi ceremoni komemorative për nder dhe kujtim të figurës kombëtare dhe patriotike të atdhetarit, profesorit dhe intelektualit Naim Ibrahimit nga Kumanova.

Kjo ngjarje përkujtimore u nderua me praninë e shumë intelektualëve, veprimtarëve të çështjes kombëtare, ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Lugina, mysafirëve dhe familjarëve të profesorit të ndjerë, i njohur për veprimtarinë e tij në Kumanovë dhe në trevat shqiptare.

Në fjalën e tij hyrëse dhe përshëndetëse, drejtori i ITSHKSH-së, z. Skender Asani potencoi se figura e Naim Ibrahimit është madhështore, duke e vlerësuar tejmase kontributin e tij për çështjet kombëtare.  Asani shtoi se është privilegj për institutin që e drejton ai të kujtojnë figurat e tilla si profesor Naim Ibrahimin, i cili ka bërë shumë në kohën kur shqiptarët po kalonin vitet më të vështira, sikurse ato të viteve ’80 të shekullit të kaluar. Drejtori theksoi se ITSHKSH e ka marrë për obligim që çdo lëvizje kombëtare, çdo personalitet, i cili ka kontribuar për çështjen kombëtare të shënohet dhe të merr formë institucionale, duke theksuar që historia është thelbi i identitetit të një kombi.

Ngjarja përkujtimore pasoi me leximin e referatit për punën dhe veprimtarinë e profesorit Naim Ibrahimi, nga ana e punëtorit shkencor në ITSHKSH dhe ish-nxënësit të profesor Naimit, Prof. Dr. Minir Ademi, i cili vlerësoi lart figurën e Naim Ibrahimit, si arsimdashës i rryer dhe i madh.

Më pas, veprimtari i madh i çështjes kombëtare, profesoir Avni Dehari, duke evokuar kujtime nga veprimtaria e tij me Naim Ibrahimin, nënvizoi se duhet të jenë krenarë të gjithë shqiptarët në trojet etnike, pasi Naim Ibrahimi ka qenë aktivist, i cili ka punuar për plotësimin e të drejtave kombëtare. Dehari theksoi se Naim Ibrahimi gjithmonë ka gjetur mënyra që nxënësit t’i pajisë me njohuri kombëtare, në kohën kur ishte kufizuar çdo gjë që frymonte shqip. Mes tjerash ai theksoi se Naim Ibrahimi, nuk ka njohur kufizime, sepse krahas programit që ka pasur nga Ministria e Arsimit e asaj kohe, ai ka gjetur mënyra që t`i pajis nxënësit me njohuri nga historia kombëtare.

Gjatë këtij evenimenti, fjalën e mori edhe veprimtar tjetër i çështjes kombëtare, deputeti Sami Kurteshi, i cili foli për guximin, trimërinë që e karakterizonte atë në kohërat kur jo të gjithë e ngrisnin zërin për çështjet kombëtare. Ai shpalosi hollësi nga takimi me prof. Naim Ibrahimin në Zvicër, për të cilin theksoi se nuk ka ditur të frikësohet, si një njeri i pjekur, i qëndrueshëm dhe i vendosur.

Në fjalën e radhës, krytari i Shoqatës së të Burgosurve dhe të Përndjekurve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Shpëtim Pollozhani, vlerësoi lart figurën e Naim Ibrahimit, duke ndarë hollësi nga ditët e mbajtjes së burgut së bashku. Ai theksoi se Ibrahimi kishte aspirata të qarta, atë të bashkimit shqiptarë. Pollozhani shtoi  se që kur ishin së bashku në burg e kishte vërejtur se ishte stoik dhe me integritet të lartë për qëllimet e tij. Por njëkohësisht nuk harroi ta përkujtojë edhe trimërinë e bashkëshortes së Naimit, e cila çdoherë i ka qëndruar në krah të shoqit, e duke nënvizuar se bashkëshortet e të burgosurve të kauzës janë heroina të vërteta.

Në fjalën e radhës, ish kryetari i LASH-it për Kumanovë, ish nxënës i Naim Ibrahimit, z. Etem Xheladini, ndau kujtimet e tij nga epoka e hapjes së paraleleve shqipe, të ashtuquajtura si “paralele të egra”, duke e theksuar rolin e madh të prof.. Naim Ibrahimit, si shtytës, motivues dhe inspirues i arsimit dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare.

Në ngjarjen përkujtimore, u lexuan edhe mesazhet përshëndetëse dërguar familjes, të pranishmëve dhe organizatorëve, si dhe në nderim të figurës kombëtare të Naim Ibrahimit, të dërguara nga veprimtari i çështjes kombëtare, z. Bardhyl Mahmuti, si dhe nga ish nxënësi i tij me punë të përkohshme në Zvicër, veprimtari z. Ahmet Asani.

Më tutje, Mr. Orhan Ibrahimi, në cilësi të bashkëveprimtarit, ish nxënësit dhe familjarit, ndezi emocionet, duke kujtuar rëndësinë e figurës së Naim Ibrahimit në drejtim të sensibilizimit dhe vetëdijesimit të nxënësve, familjarëve, rrethit dhe më gjerë, duke shpalosur hollësi dhe momente të paharruara.

Prof. Dr. Nehas Sopaj, në cilësi të familjarit të radhës, vlerësoi figurën e Naim Ibrahimit, ku theksoi se nuk mjaftojnë orë të tëra për të përshkruar një figurë si Naim Ibrahimi. Ai me këtë rast ITSHKSH-së i dhuroi edhe librin e tij, romanin “Fluturimi mbi Sllupçan”, libër ky, që përshkruan mes tjerash edhe një pjesë të fëmijërisë së Naim Ibrahimit, Avni Deharit si dhe prindit të ndjerë të Avniut.

Në emër të familjes, fjalën mbyllëse dhe përshëndetëse e pati vajza e figurës së shquar kombëtare të Naim Ibrahimit, znj. Merita Ibrahimi.

Në ceremoninë e cila u drejtua nga hulumtuesi shkencor në Institut, Mr. Ardian Ramadani, i cili e kishte edhe xhaxha profesorin e ndjerë, u përdëftua se tashmë i ndjeri Naim Ibrahimi ishte simbol i rezistencës kombëtare shqiptare.

Naim Ibrahimi ka lindur më 25 qershor të vitit 1942 në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës, ku e kishte kryer shkollimin fillor, të mesmen në Kumanovë, ndërsa fakultetin Filozofik-drejtimi i historisë në Shkup, viti 1970. Më pas studimet pasuniversitare të magjistraturës i kishte vazhduar në Zagreb, e mes tjerash ka punuar si profesor në Kaçanik, Prishtinë, Kumanovë dhe Shkup.

Ai nga vitet e ’60-ta e deri në fund të jetës së tij më 4 mars të këtij viti, ka punuar për ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH SHKËMBEN PËRVOJA SHKENCORE ME UNIVERSITETET AMERIKANE

Shkup, 08. 03. 2024 – Anne Donohue, profesoreshë e asocuar dhe Christina L. Wassenaar, profesoreshë …