(Përgjigje ndaj dy shkrimeve të gazetës KOHA – Shkup, të botuar më 28 dhe 31 gusht 2020)
Shkup, 31.8.2020 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, gjatë ditëve të kaluara u bë cak i një sulmi të paskrupullt, tendencioz dhe krejtësisht të paargumentuar nga gazeta KOHA e Shkupit. Ky sulm ndaj Institutit vjen në mënyrë të orkestruar në një kohë kur puna kolosale e Institutit ka marrë mirënjohje në të katër anët botës, përfshirë edhe Departamentin e Shtetin Amerikan, pikërisht për shkak të hapjes së temave të ndjeshme që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe vlerat e tyre të mëdha universale, bashkë me diversitetet etnike dhe fetare.
Ne si Institut e kemi ditur se do të jemi cak i sulmeve qëllimkëqija, në kohën kur kemi hapur departamentet e reja që merren seriozisht dhe shkencërisht me temat e Holokaustit, protestantizmit, katolicizmit, të cilat kanë lidhshmëri dhe pikëtakime në kontekst kulturor e historik me identitetin shqiptar. Në gazetën KOHA, në një formë të paturpshme dhe cinike, janë stigmatizuar hapur pikërisht këto objektiva, të cilat në të ardhmen do të mund të nxisin reagime të paimagjinueshme të qarqeve të caktuara ekstremiste, falë gjuhës së urrejtjes që po stimulon kjo gazetë.
Një shqetësim serioz për ne paraqet edhe mënyra krejtësisht joetike dhe joprofesionale e raportimit të gazetës KOHA, gjë që shihet që në titujt e saj ‘bombastik’, të cilët kanë për qëllim degradimin publik dhe uljen e imazhit, jo vetëm të drejtuesit të Institutit, por edhe të krejt institucionit tonë (titulli: “Instituti që turpëroi shqiptarët”, Koha, 28.8.2020). Zelli zjarrvënës i kësaj gazete vërehet edhe te konstatimi paushall se gjoja ‘punëtorët shkencorë’ anonimë qenkan shqetësuar me themelimin e Departamentit të Holokaustit dhe marrjen me Protestantizmin. Kush janë ata punëtorë shkencorë?! Pse nuk i publikon emrat e tyre kjo gazetë? A nuk paraqet kjo shpifje dhe a nuk ka elemente kundërvajtëse?! Kjo mënyrë e raportimit paraqet shkelje flagrante të dinjitetit njerëzor dhe institucional, për çka në radhë të parë do të duhet të merret Këshilli i Etikës së Mediave.
Po atë ditë kur kjo gazetë pretendon se drejtori nuk iu është përgjigjur pyetjeve të gazetës, para orës 16:00 nga Instituti është lëshuar një sqarim për opinion, me titull “ITSHKSH ktheu gjuhën amtare të Nënë Terezës në Sheshin e Shkupit”. Ky sqarim i hollësishëm ku hidhen poshtë të gjitha pretendimet e pamatura dhe euforike të reaguesve, nuk botohet në gazetë, kurse botohet në portalin e gazetës me titull poashtu tendencioz: “Asani s’jep përgjegjësi për turpin, biznesmeni kërkon vet t’i hiqet emri” (koha.mk, 27.8.2020). Pra, në të njëjtin artikull, njëherë japin komentin e tyre, pastaj më poshtë nxjerrin sqarimin tonë, një veprim krejtësisht joprofesional, amatoresk dhe me qëllime diskredituese.
Në dy tekstet e botuara në faqe kryesore të kësaj gazete, janë dhënë informata krejtësisht të pasakta në lidhje me Institutin, siç është numri i botimeve të Institutit (në vitin 2019 kanë qenë 8 botime të përkrahura nga Ministria e Kulturës, e jo 35 sa pretendohet nga gazeta KOHA!), apo edhe shuma marramendëse që janë përmendur për të cilat do të duhen të kalkulohen dhjetëra buxhete vjetore. Këto dhe shumë elemente tjera me tendenca të orkestruara të shantazhit, presionit, shpifjeve e gënjeshtrave të gazetës KOHA ndaj ITSHKSH-së, do të jenë pjesë e padive penale të cilat janë duke u përgatitur nga mbrojtja jonë.
Sa për informim, ITSHKSH është një nga institucionet më transparente për gjithë opinionin publik, madje ndoshta edhe se çdo institucion tjetër. Çdo aktivitet i joni është i hapur për publikun, madje edhe për mediat të cilat pikërisht nga ne janë furnizuar rregullisht me materiale. Nëse gazeta KOHA mburret se ka bërë diçka për tema të ndjeshme, siç është Holokausti (duke i parë linqet e radhitura në reagimin tuaj të dytë), kjo është falë punës tonë si Institut.
Në këtë frymë, ITSHKSH do të vazhdojë të punojë pandalshëm, në mënyrë transparente dhe publike, duke trajtuar guximshëm tema të cilat ndonjëherë edhe mund të nxisin reagime, për shkak të paragjykimeve dhe stereotipeve të pabaza të mendjeve të kontaminura me zili dhe urrejtje. Instituti ynë është në dispozicion të çdo medie apo institucioni shtetëror për llogaridhënie, siç ka qenë edhe deri më tani.
Njoftojmë opinionin publik dhe gazetën KOHA, se me këtë reagim e përmbyllim polemikën tonë lidhur me këtë çështje, duke e respektuar lirinë e fjalës dhe duke shpresuar në bashkëpunim korrekt dhe profesional në të ardhmen.
Me respekt,
Dr. Skender ASANI,
Drejtor i ITSHKSH-Shkup