Jahja Lluka promovon librin “Kosova nga ‘Naçertanie’ deri te Pavarësia”

Shkup, 9.4.2021 – Në kujtim të vuajtjeve të shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e tyre nga regjimet serbe, sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, u promovua libri faktografik “Kosova nga ‘Naçertanie’ deri te pavarësia (1844–2008)” i autorit Jahja Lluka.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, theksoi se Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, të cilën e drejton Jahja Lluka, është një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit institucional, për të bërë aktivitete me peshë kombëtare, siç janë hulumtimet, botimet apo edhe projektet konkrete, siç është Qendra Përkujtimore “Bllaca ‘99”. Duke folur për librin, Asani tha se “përderisa fqinjët tanë historikisht kanë projektuar elaborate antishqiptare dhe antinjerëzore me përmasa gjenocidale, shqiptarët gjithmonë kanë qenë në pozita mbrojtëse në trojet e veta, dhe fatmirësisht kanë arritur të mbijetojnë deri në ditët e sotme, meqë kanë qenë në anën e drejtë”.

Rreth rëndësisë së librit me referate u paraqitën studiuesit Zeqirija Ibrahimi dhe Sevdail Demiri, sipas të cilëve, “Serbia pushtuese, qëllimin kryesor për të krijuar Serbinë e Madhe, përmes daljes në Detin Adriatik, synonte ta realizonte pikërisht përmes zhbërjes së shqiptarëve nga trojet e veta. Këtyre veprimeve antinjerëzore i kishin paraprirë programe dhe elaborate të shumta shtetërore që vinin nga majat e politikës dhe akademive serbe, e që në mënyrë mjaft korekte janë pasqyruar në këtë botim”.

Autori i librit “Kosova nga Naçertania deri te Pavarësia (1844–2008)”, Jahja Lluka, foli për programet dhe elaboratet e shumta serbe dhe antishqiptare, të cilat për bazë e kishin Naçertanien e Garashaninit. Ai falënderoi Institutin dhe drejtorin Asani, për bashkëpunimin e sinqertë, veçanërisht në projektin për ngritjen e Qendrës Përkujtimore të Bllacës ’99, e cila do të inaugurohet ditën e nesërme.

Libri faktografik “Kosova nga Naçertania deri te Pavarësia (1844–2008)” nga Jahja Lluka, është përkthyer edhe në gjuhën angleze, dhe deri më tani është shpërndarë nëpër shumë përfaqësi diplomatike, për të dalë në shesh e vërteta për shqiptarët dhe Kosovën.

 

 

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …