Prishtinë, 10 maj 2023 – Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional e ndërshtetëror, sot në Prishtinë u realizua një takim në mes të drejtorit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Prof. dr.SkenderAsani dhe ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës Hajrulla Çeku. Ky takim vjen pas një sërë aktivitetesh bashkëpunuese me Republikën Kosovës, si në rrafshin e organizimit të konferencave e eventeve të përbashkëta, ashtu edhe në drejtim të gjetjes së pikave të përbashkëta për plane të reja në të ardhmen.
Drejtori Asani e njoftoi ministrin Çeku me disa veprimtari shkencore e kulturore që kanë pasur në fokus ngritjen kapaciteteve institucionale për një frymë kreative bashkëpunuese midis ITSHKSH dhe institucioneve të ngjashme të Kosovës. Në këtë kontekst drejtori Asani propozoi që të përpilohet një kalendar i përbashkët bashkëpunimi kulturor e shkencor në mes të dy vendeve tona, ku ITSHKSH do të luante një rol mjaft domethënës në ofrimin e përvojës dhe përgatitjeve që ka, siç është rasti me Qendrën memoriale të eksodit në Bllacë, e cila në të ardhmen do të mund të jetë një aset i përbashkët i përkujtimit të të gjitha gjenocideve që janë kryer mbi shqiptarët.
Në fokusin e këtij takimi ishin edhe shumë aktivitete e projekte të ndryshme të ITSHKSH, me ç’rast ministri Çeku u njoftua me punën e Departamentit për Edukimin dhe Studimin e Holokaustit dhe Departamentit të Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës.
Duke folur për zgjerimin e Institutit në një hapësirë më të gjerë etno-kulturore në Maqedoninë e Veriut, drejtori Asani vuri në dukje institucionalizimin e gjashtë qendrave rajonale të trashëgimisë kulturore, të cilat do të kenë specifikat e veprimtarisë së tyre, pasi që lidhen me rajone të pasura me resurse etno-pskologjike nga bota shqiptare,që në të kaluarën kanë qenë të mbuluara nga pluhuri i harresës.
Ministri Hajrulla Çeku shprehu konsideratat dhe vlerësimet e tij lidhur me punën gjithëpërfshirëse të Institutit, si dhe gatishmërinë për ta thelluar bashkëpunimin kulturor e shkencor ndërinstitucional.
Për ta njoftuar më detajisht me një pjesë të veprimtarisë botuese të Institutit, drejtori Asani i dhuroi ministrit Çeku disa prej titujve të botuar kohëve të fundit.