Shkup, 23 dhjetor 2021 – Festa e Krishtlindjeve është një nga kremtet më të rëndësishme në kalendarin festave të krishtera. Ajo kremtohet dhe festohet çdo 25 dhjetor dhe në të kujtohet lindja e Jezu Krishtit. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët. Por përveç anës shpirtërore e fetare, ajo vjen në mbarë botën si një nga festat më të bukura dhe më të pëlqyera nga të gjithë. Veç kësaj, kjo festë lidhet edhe me një nga figurat më emblematike dhe më planetare, emrin e së cilës e mban edhe Departamenti i trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereza në kuadër të Institutit. Prandaj, ITShKSh në Shkup është përcaktuar që prej sivjet ta shënojë këtë ditë dhe ta bëjë një festë tradicionale në kalendarin e ngjarjeve që do të përmbyllin vitin.
ITSHKSH e organizoi këtë pritje solemne edhe për të nderuar kujtimin ndaj të gjitha atyre familjeve fisnike dhe personaliteteve shqiptare katolike të Shkupit, përfshi edhe udhëheqësit shpirtëror siç ishin Pjetër Bogdani, Ndue Bytyçi, Lazër Mjeda, Zef Rama, Gaspër Gjini etj., të cilët me kontributin e tyre emancipues ishin vertikalja shpirtërore e këtij kryeqyteti dardan.
Prof.dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH theksoi se është një kënaqësi që po organizohet kjo ceremoni solemne festën e Krishtlindjeve, por edhe për të kujtuar një traditë që dikur ishte pjesë e jetës sonë urbane këtu në Shkupin e Pjetër Bogdanit, Nënë Terezës e Hasan Prishtinës.
“Më vjen shumë mirë që ITSHKSH sivjet, dhe besoj edhe në vitet në vijim, po bëhet një pikëtakim i ngrohtë i njerëzve që duan të jenë pranë njeri tjetrit të frymëzuar edhe nga dashuria për Jezu Krishtin, por edhe për të reflektuar mbi mundësitë tona që për një çast të lëmë mënjanë mëritë, urrejtjet dhe hatërmbejtjet në favor të një energjie përbashkuese midis atyre që duan të jetojnë dinjitetshëm në këtë botë të trazuar nga sfidat e shumta që po na godasin”, nënvizoi Asani.
Pastaj ai vuri në dukje se ITSHKSH me shumë dashuri në gjirin e vet ka një Departament që lidhet me trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut-Nënë Terezës dhe kjo është pikënisja ku mund të fillojë reflektimi ynë ndaj traditave të mira që kishte Shkupi i dikurshëm, atëherë kur shkëlqimi i mbrëmjeve të Krishtlindjeve paralajmëronte një agim në horizontin tonë të pritjeve, për një orientim civilizues që na i bashkon vlerat dhe aspiratat evropiane.
Në kremtimin e Krishtlindjeve në ITSHKSH ishte i pranishëm edhe Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës. Ai përgëzoi ITSHKSH-në për iniciativën që 23 dhjetori të jetë ditë tradicionale e kremtimit të Krishtlindjeve dhe vuri në dukje nevojë për të qenë bashkë në ide e projekte që sjellin progres për të gjithë njerëzit.
Intelektualja dhe diplomatja Adelina Marku pasi shprehu mbështetjen për një nismë të tillë tha se nuk kishte pasur shumë njohuri për familjet katolike shqiptare të Shkupit, por për to kishte mësuar shumë nga kërkimet e ITSHKSH-së. “Mbamendjen e kam që nga fëmijëria, konkretisht nga trashëgimia kulturore e familjes. Mund të flas për origjinën e mbiemrit tim që është i krishterë dhe shqiptarë. Fëmijëria ime ka një kujtesë të strukturuar mirë për atë që unë sot e quaj liri origjine, fetare e kulturore. ITSHKSh do të ishte mirë që të vazhdojë të fokusohet në afirmimin e trashëgimisë sonë kulturore, duke filluar me ndriçimin e të kaluarës së Kishës Mbigur (si Bigorksi) në rrethin e Dibrës dhe antropologjinë e varreve të fisit Marku në fshatin Bohmovë, varre këto që flasin për larushinë tonë fetare, që mbajnë mbishkrime myslimane kurse kanë një arkitektoni të krishterë”, tha Marku.
Në këtë aktivitet foli edhe gazetarja Dijana Toska, e cila u përqendrua në madhështinë planetare të Nënë Terezës – kësaj gruaje me shpirt të madh. Sipas saj, Nënë Tereza nuk e kërkoi lavdinë, por atë ia dhanë të varfrit e saj. Ajo ndërmjetësoi një armëpushim midis ushtrisë izraelite dhe guerilëve palestinez për të shpëtuar 37 fëmijë të bllokuar në një spital dhe mori epitetin e gjeneralit të paqes, ajo ndërtoi Shanti Nagarin, qytetin e paqes, u dekorua me çmimet më prestigjioze në botë për promovimin e njerëzimit, paqes dhe vëllazërimit midis popujve, u shpall Doktor Nderi, mori edhe Çmimin Nobel për Paqë. Poezitë e saja janë vetë paqja në botë, janë Kombet e Bashkuara që i japin dritë unit universal”, nënvizoi Toska.
Këtë aktivitet e nderoi edhe kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Reisul ulema hfz. Shaqir Fetahu, si dhe personalitete tjera.