Drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, është shprehur i kënaqur , pasi që përpos gjashtë departamente rajonale të trashëgimisë kulturore, në kuadër të ITSHKSH-së në të ardhmen do të funksionojnë edhe Departamenti i Mërgatës si dhe Qendra multimediale dhe dokumentare
Shkup, 21 mars, 2023 – Sot në mbledhjen e Qeverisë së MV ka kaluar propozim-projekti i ITSHKSH për formimin e gjashtë departamenteve rajonale të Trashëgimisë kulturore shqiptare. Gjithashtu janë miratuar edhe propozim-projektet për formimin e Departamentit të Mërgatës dhe Qendrës multimediale dhe dokumentare në kuadër të ITSHKSH.
Drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, është shprehur i kënaqur, duke faleminderuar me këtë rast liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, për mbështetjen e pa rezervë të këtyre projekteve, ZvKryeministrin e parë, Artan Grubin, për menaxhimin dhe bashkërendimin e procesit dhe Jeton Shaqirin, ministër i Arsimit dhe Shkencës, për finalizimin e implementimit institucional të këtyre propozim-ideve.
“Ky është kurorëzim i një pune shumëvjeçare që ka për qëllim rrumbullakimin dhe plotësimin e kuadrit ligjor për një veprimtari më të gjerë kërkimore-shkencore në terren dhe përgatitje e një faze të re të punës sonë që si objektiv kryesor do të ketë zgjerimin e fushëveprimit tonë gjithkund ku ndodhet trashëgimia jonë shpirtërore e kulturore. Në të ardhmen presim që me ekipimin e kuadrit të specializuar të zhvillojmë një sërë projektesh që përpos karakterit shkencor, do të kenë edhe karakter edukativ e njohës për gjeneratat e reja, të cilat duhet të jenë në korrent me historinë dhe trashëgiminë kulturore në trevat ku ata banojnë”, dekaroi Asani.
Me vendimin e sotëm të Qeverisë, ITSHKSH-së do t’i shtohen gjashtë departamente rajonale të trashëgimisë kulturore, duke filluar nga Manastiri (Rajoni i Pellagonisë), ku do të ngrihet Departamenti rajonal i trashëgimisë kulturore me emrin “Qiriazët”, pastaj pellgu i Ohrit dhe Strugës – Departamenti rajonal “Dervish Hima”, rajoni i Rekës së Epërme me qendër në Dibër, që do të mbaj emrin e Josif Bagerit , rajoni i Kërçovës – “Nëna Shqiptare”, rajoni i Pollogut në Tetovë – “Deralla”, si dhe Departamenti rajonal i Kumanovëe -“Jashar Erebara”, që do të përfshijë rajonin e rrafshit të Kumanovës dhe Karadakut.
Secili prej këtyre departameneteve rajonale i ka specifikat e veta dhe jo rastësisht i kanë emërtimet që iu përkasin atyre specifikave. Kështu, bie fjala, në Manastir dihet mirëfilli kontributi historik i familjes Qiriazi dhe për rrjedhojë emri që do të mbaj Departamenti rajonal në këtë qytet ndërlidhet me historinë lavdishme të kësaj familjeje.
Pastaj e kemi rilindësin Dervish Hima nga Ohri, një patriot intelektual që radhitet bashkë me firmëtarët tjerë të Pavarësisë së Shqipërisë, i njohur me penën e tij të spikatur si publicist dhe botues. Dhe jo rastësisht emrin e tij do ta mbajë Departamenti rajonal i Pellgut të Ohrit dhe Strugës.
Vjen pastaj Rajoni i Rekës së Epërmes që do të mbaj emrin e veprimtarit, poetit dhe publicistit Josif Bageri, i cili u angazhua edhe për bashkëpunimin në mes të popujve të Ballkanit në frymën e Rilindjes Evropiane.
Në Kërçovë do ta kemi simbolin e sakrificës shekullore – “Nëna Shqiptare”, një atribut ky që do të arsyetojë fushëveprimin e Departamenti rajonal të trashëgimisë kulturore, duke sublimuar të gjitha virtytet e shenjta të nënës shqiptare, ky burim i pashtershëm frymëzimi dhe pjellorie ndër shekuj.
Rajoni i Pollogut ka dhënë shumë figura të shquara që i kanë kontribuuar progresit dhe dinjitetit ndër shekuj, andaj është përzgjedhur që Departamenti rajonal i trashëgimisë kulturore që do të mbuloj këtë rajon, me seli në Tetovë, të ketë emrin “Deralla”, një personifikim ky i sakrificave dhe aspiratave liridashëse të banorëve të këtij rajoni dhe më gjerë.
Në janar të vitit 1909, me nismën e atdhetarit dhe publicistit , Jashar Erebara, themelohet “Klubi i Kumanovës”, i cili është cilësuar edhe si vatra e parë e arsimit shqip në këto treva. Me themelimin e këtij klubi dalin në ndritë personalitete dhe ngjarje të tjera që kanë rëndësi historike për trevën shqiptare të Kumanovës. Prandaj edhe Departamenti i trashëgimisë kulturore të këtij rajoni jo rastësisht do të mbaj emrin e Jashar Erebarës.
Në kuadër të ITSHKSH në të ardhmen do të funksionojnë edhe Departamenti i Mërgatës si dhe Qendra multimediale dhe dokumentare.
Duke themeluar Departamentin e Mërgatës, ITSHKSH synon që të ofroj një shikim të ri sa i përket trajtimit të mërgatës sonë, e cila duhet të jetë më e lidhur me vendlindjen, duke kontribuar kështu në dy plane: në njërën anë, vendlindja përfiton nga përvoja dhe mirëqenia e mërgatës, kurse kjo e fundit përfiton nga vendlindja edukimin dhe traditën.
Ndërkaq Qendra multimediale dhe dokumentare do të jetë një shtyllë ndihmëse e ITSHKSH në dokumentimin dhe arkivimin digjital të trashëgimisë sonë materiale e shpirtërore, një përvojë kjo e njohur e instituteve botërore të cilët kanë edhe produksionet e tyre, shembull ky që do të ndiqet edhe nga ITSHKSH.