Shkup, 12 nëntor – Sot në ITSHKSH u promovua DITARI (dy vëllimësh) i shkrimtarit Fejzi Bojku. Me këtë rast drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, shprehu kënaqësinë që një njeri i shquar i letrave shqipe, siç është shkrimtari Fejzi Bojku, ka arritur që të sistemoj kujtimet e tij në një ditar, i cili është edhe dëshmi e një kohe të errët për shqiptarët.
“Kontinuiteti i zhvillimit tonë kulturor e shoqëror nuk ka mundur të ndodhë edhe pa kontributin e intelektualëve e krijuesve. Në mesin e tyre është edhe shkrimtari Fejzi Bojku, vepra e të cilit ka shprehë vitalitetin dhe kreativitetin e shpirtit tonë krijues nëpër dekada”, nënvizoi Asani.
Duke u ndërlidhur me rëndësinë që paraqet mbajtja e ditarit, shkrimtari Xhabir Ahmeti tha se ky ditar është edhe një mirënjohje për njerëzit që u kanë bërë ballë furtunave e presioneve të ndryshme politike duke qëndruar vertikalisht me të vërtetën dhe vetëm me të vërtetën, por edhe qortim për njerëzit të cilët kanë rënë para provokimeve, jo vetëm për ngjarjet që i përshkruan Fejziu e që lidhen me jetën e tij dhe veçmas me proceset jo të lehta politike të cilat e kanë ndjekur si hije “Flakën e vëllazërimit”, por ditari paraqet edhe një emanacion të gjërave të këqija dhe të qëndresës, në të njëjtën kohë.
“Një karakteristikë tjetër e kësaj vepre, që pa dyshim bie në sy është kujdesi dhe maturia e autorit që të mos shkaktojë situata të papëlqyeshme dhe pasoja eventuale të natyrës morale për pasardhësit e disa njerëzve që përmenden. Sigurisht që ky kujdes është rezultat i përvojës së madhe jetësore, sepse lidhet me përgjegjësinë që e kërkon fjala e shkruar, që e kërkon përvoja madhe e një krijuesi letrar. Duke vepruar kështu Fejzi Bojku, krahas pafajësisë së të tjerëve e mbron edhe veprën e vet, duke mos lejuar që të dilet jashtë kornizave të kohës që i kërkon etika. Në këtë mënyrë forcohet ngrehina krijuese dhe koherenca e veprës”, u shpreh Xhabir Ahmeti.
Disa karakteristika të këtij ditari u veçuan edhe nga Emin Azemi i cili tha se pak kujt i kishte shkuar ndërmend se shkrimtari Fejzi Bojku në heshtje po shkruante edhe një letërsi tjetër. Kujtimet e tij që tani kanë marë formën e ditarit për shumë çka i ngjajnë letërsisë dokumentare dhe memoaristikës kulturtologjike ndër ne.
“Shënimet e Fejzi Bojkut në formë ditari nuk janë vetëm të karakterit privat sepse në to gjejmë reminishenca të një kujdesi kreativ njerëzor lidhur me problemet sociale të cilat e rrethojnë. Këtë kujdes dhe shqetësim ai e shpreh me sinqeritet të plotë dhe gjithmonë duke kërkuar përgjigje për shumë çështje ideore dhe dilema që shfaqen gjatë proceseve nëpër të cilat kaloi shoqëria gjatë viteve të tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta”, nënvizoi Emin Azemi.
Një komunikim mjaft i ngrohtë me të pranishmit në këtë promovim u krijua edhe me fjalët e vet autorit Fejzi Bojku, i cili pasi faleminderoi të gjithë ata që i kishin mundësuar që ky projekt të realizohet me sukses tha se ai ishte munduar të sistemoj kujtimet për një periudhë kohore kur ai kishte qenë bartës aktiv i angazhimeve profesionale në revistat për fëmijë dhe në vet gazetën “Flaka e Vëllazërimit”. Bojku tha se nuk kishte edhe e lehtë përballja me sfidat e kohës, prandaj atij i është dashur të mbaj një ekuilibër shpirtëror e njerëzor ndaj ngjarjeve e fenomeneve të kohës. Ai me këtë rast tregoi edhe për një angazhim mjaft të madh rreth përgatitjes së një monografie për gazetën “Flaka e Vëllazërimit”, punë kjo atë e kishte lidhur për disa muaj me arkivin e kësaj gazete. Ai u tregua i gatshëm që gjithë ky material arkivor të bëhet pjesë e fondit të ITSHKSH, ku në të ardhmen mund të realizohet ndonjë projekt me karakter dokumentar rreth kësaj gazete.