Shkup, 21 prill – Në kuadër të veprimtarive kushtuar 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga 22-24 prill në Tiranë do të organizohet Panairi i parë mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor. Ky aktivitet vjen si nismë e përbashkët në mes të dy akademive të shkencave në Tiranë dhe në Prishtinë. Ky panair përkon me Ditën botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit. Qëllimi i panairit, siç e thonë organizatorët- ASHSH dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, është që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në gjithë hapësirën shqiptare, duke synuar një prani përfaqësuese sa më të gjerë.
Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor do të ketë edhe karakter promovues, me ç’rast do të paraqiten autorë dhe vepra nga gjithë hapësira shqiptare, duke synuar që në një të ardhme të jenë të pranishme edhe botimet nga qendrat albanologjike në botë.
Pjesëmarrës i Panairit të parë mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, do të jetë edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore në Shkup. Më 23 prill, ditën e shtunë, ora 13, në sallën Akademikët në kuadër të Librit Akademik do të promovohet libri “Dialektologjia shqiptare – Të folmet shqipe në Maqedoninë e Veriut”, vëll. 1,2, botuar nga ITSHKSH, kurse në orën 18, po të njëjtën ditë, në sallën Aleks Buda të Akademisë së Shkencave, do të promovohet “Legjislacioni bazik antisemitik në Mbretërinë Bullgare”, libër ky i botuar nga ITSHKSH.
Organizatorët synojnë që përmes panairit të ndikojnë në krijimin e një rrjeti kombëtar të botuesve të librit shkencor, para së gjithash të universiteteve dhe institucioneve tjera të specializuara. Ky rrjet do të jetë në funksion të marrjes së informacionit dhe shkëmbimit të botimeve dhe periodikëve shkencor, që tani për tani mbeten brenda institucioneve që i botojnë. Panairi i sivjetmë do të jetë një faktor tjetër nxitës në qarkullimi e vlerave shkencore përmes botimeve e periodikëve të specializuar.