Tiranë 22 prill – Pas disa takimeve e konsultave, sot në Tiranë u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit në mes të ITSHKSH, përfaqësuar nga drejtori, Prof.dr. Skender Asani dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, përfaqësuar nga Prof.dr. Luan Përzhita. Kësaj marrëveshjeje pritet t’i bashkangjitet edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Qëllimi i kësaj marrëveshjej është që tri qendrat tona albanologjike të punojnë sipas një strategjie, ku si prioritet do të jenë projektet dhe konferencat e përbashkëta me karakter gjithkombëtar. I kësaj natyre është edhe shënimi i 50 vjetorit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, me ç’rast qendrat tona albanologjike kanë afishuar disa aktivitete që do të finalizohen me një Konferencë shkencore në muajin nëntor në Tiranë kushtuar kësaj ngjarje tonë të madhe kulturore e kombëtare.
Drejtori i ITSHKSH, prof dr. Skender Asani, rikonfirmoi qëndrimin e shprehur edhe më herët për një koordinim të mirëfillt në fushën e bashkëpunimit shkencor-albanologjik, ku do të vihen në pah specifikat e hulumtimit dhe studimit të secilës prej qendrave tona albanologjike. ITSHKSH tash më fuqishëm ka dalë në treg, tha Asani, andaj nevojitet që të krijohet një infrastrukturë e mirëfillt shkencore për plasimin e ideve e projekteve që do t’i përfaqësonin vlerat kombëtare e kulturore të shqiptarëve edhe në arenën ndërkombëtare.