ITSHKSH, PAS 23 VITEVE NË BLLACË PËRKUJTON GOLGOTËN SHQIPTARE

Shkup, 9 prill – Sot në zonën ndërkufitare Kosovë-Maqedoni e Veriut, konkretisht në Kompleksin memorial “Bllaca 99”, në organizim të ITSHKSH u shënua 23 vjetori i golgotës shqiptare, që erdhi si pasojë e dëbimit masiv të shqiptarëve pas bombardimeve të NATO-s që kishin filluar më 24 mars 1999. Me këtë rast drejtuesit e ITSHKSH, në krye më drejtorin prof.dr. Skender Asani, bashkë me studiuesin dhe baskëpunëtorin e jashtëm Mehmet Prishtina, si dhe me pasardhësin e Isa Boletinit- Gazmend Boletini,  u vendosën lule të freskëta në Muralin e Kujtesës.

Duke përkujtuar efektet që kishte prodhuar golgota e para 23 viteve, prof.dr. Skender Asani vuri në dukje se Kompleksi memorial “Bllaca 99” (Muri i Kujtesës, Parku Hasan Prishtina dhe Treni i të zhvendosurve), tash e tutje i shërbejnë kujtesës sonë, jo vetëm për të freskuar të kaluarën, por për të mësuar edhe hapat nga duhet të shkojmë në të ardhmen. Së pari, tha ai, duke vendosur një standard të ri në memorimin e të kaluarës, përmes projekteve që afirmon njeriun tonë në mikroplan përmes sakrificës individuale dhe solidarizimit kolektiv dhe përmes politikave shtetërore të cilat do të përpilonin  një strategji unike në formimit e institucioneve muzeale, ku do të konservohej dhe studiohej historia e përpjekjeve titanike të popullit tonë për të ruajtur vazhdimësinë edhe biologjike edhe kombëtare, u shpreh Asani.

“Kjo Qendër, gjithsesi do të jetë sublimim i të gjithë kalvareve biblike që iu ndodhën shqiptarëve ndër shekuj, por do të shërbejë edhe si një urë afrimi e komunkimi në me të dy vendeve. Prandaj, është koha që institucionet e Kosovës, parasegjithash, Parlamenti, Qeveria dhe Presidenca, të bëhen pjesë e kësaj fryme që reflekton kjo Qendër, duke e shndërruar atë në një akumulues institucional të memories historike të shqiptarëve”, nënvizoi Asani.

Ndërkaq studiuesi Mehmet Prishtina tha se tash pas një viti kur inaiguram Murin e Kujtesës dhe Parkun “Hasan Prishtina” në kuadër të  Qendrës përkujtimore “Bllaca 99”, vetvetiu na imponohet një pyetje: Sa kanë reflektuar institucionet dhe shoqëria në përgjithësi në ngritjen e memorires sonë kolektive në një rrafsh më të konsoldiuar institucionalisht dhe shkençërisht.

“Kjo pyetje bëhet edhe më kuptimplote pasi që Qendra përkujtimore “Bllaca 99” e ideuar nga ITSHKSH në Shkup, ngërthen në vete semantikën e vuajtjeve  të shqiptarëve si pasojë e dëbimeve dhe veprimeve gjenocidale të pushtuesve grabitçarë. Të kujtosh të kaluarën nuk mjafton, nëse nuk i shtojmë edhe segmentin e institucionalizimit të së djeshmes në emër të vrojtimit të së ardhmes. Pikërisht kjo Qendër përkujtimore ka për synim rivendosjen e sensit të vlerësimit profesional të ngjarjeve nga e kaluara që kanë qenë gur kilometrik në zhvillimin e proceseve historike”, nëvizoi Prishtina.
Me një kërkesë drejtuar institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi, për një unitet në arritjen e qëllimeve sublime kombëtarae, u angazhua Gazmend Boletinit, sipas të cilit edhe ky përvjetor i shënimit të 23 vjetorit të dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga vatrat e tyre, duhet të na ndërgjegjësojnë për hapa të duhur drejt një perspektive më të ndritshme.

Udhëheqësi i Departamentit të hisorisë në ITKSHKSH, Dr. Besnik Rameti, tha se nuk mjaftojnë vetëm deklaratat , por duhen edhe project konkrete për të paditur Serbinë për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve. Ai nënvizoi nevojën e mësimit prej pësimeve nga e kaluara, sepse, siç tha ai, nëse e kaluara harrohet, ajo përsëritet në forma të ndryshme.

Një dimension i rëndësishëm i ngjarjeve dramatiek të ditëve të para të prillit të vitit 1999, ishte edhe informimi. Me këtë rast, Emin Azemi, botues i Gazetës FAKTI dhe udhëheqës i Departamentit të letërsisë në ITSHKSH përkujtoi të pranishmit se atëbotë një pjesë e redaksisë së kësaj gazete ishte zhvendosur këtu në luginën e Bllacës, për të prekur nga afër vuajtjet dhe dhembjet e njerëzve të shkulur nga vatrat e tyre shekullore.
“Për ne si medie, përpos që ishim të angazhuar në ndekjen e ngjarjeve aktuale hap pas hapi, donim të dinim diçka edhe më tepër nga dëshmitë e të dëbuarve, mbi përvojat e tyre dhe mbi gjendjen në të cilën i kishin lënë të afërmit, shtëpitë dhe pronat e tyre pas aksioneve të dhunshme të ushtrisë dhe policisë serbe”, tha Azemi.

ITSHKSH do të vazhdojë me projekte e ide konkrete të imponojë vizionin e tij shkencor e kulturor se si duhet të institucionalizohet memorja jonë kolektive, një kauzë kjo që do të duhej të merret si model edhe nga institucionet e Kosovës, të cilat aktualiusht më tepër po merren me fjalë boshe se sa me vepra konkrete.

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …