Shkup, 9 prill – Në zonën ndërkufitare Kosovë-Maqedoni e Veriut përkatësisht në Kompleksin memorial “Bllaca 99”, në organizim të ITSHKSH u shënua 24 vjetori i golgotës shqiptare, që erdhi si pasojë e dëbimit masiv të shqiptarëve pas bombardimeve të NATO-s që kishin filluar më 24 mars 1999.Me këtë rast ITSHKSH në bashkëpunim me Komunën e Hanit të Elezit dhe Fondacionin “Hasan Prishtina” organizoi takim përkujtimor.
Drejtori i ITSHKSH-së, Prof.dr. Skender Asani, kreu i Komunës së Hanit të Elezit, përfaqësuesi i Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina, pasardhësi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, përfaqësuesi i Fondacionit “Idriz Seferi”, Sabri Kadriu vendosën lule të freskëta në Muralin e Kujtesës. Duke përkujtuar efektet që kishte prodhuar golgota e para 23 viteve, prof.dr. Skender Asani vuri në dukje se Kompleksi memorial “Bllaca 99” (Muri i Kujtesës, Parku Hasan Prishtina dhe Treni i të zhvendosurve), i shërbejnë kujtesës sonë, jo vetëm për të freskuar të kaluarën, por për të mësuar edhe hapat nga duhet të shkojmë në të ardhmen. Së pari, tha ai, duke vendosur një standard të ri në memorimin e të kaluarës, përmes projekteve që afirmon njeriun tonë në mikroplan përmes sakrificës individuale dhe solidarizimit kolektiv dhe përmes politikave shtetërore të cilat do të përpilonin një strategji unike në formimit e institucioneve muzeale, ku do të konservohej dhe studiohej historia e përpjekjeve titanike të popullit tonë për të ruajtur vazhdimësinë edhe biologjike edhe kombëtare, u shpreh Asani.
“Kjo Qendër është themel i shtetësisë së Kosovës dhe gjithsesi do të jetë sublimim i të gjithë kalvareve që iu ndodhën shqiptarëve ndër shekuj, por do të shërbejë edhe si një urë afrimi e komunkimi në me të dy vendeve. Prandaj, është koha që institucionet e Kosovës, të bëhen pjesë e kësaj fryme që reflekton kjo Qendër, duke e shndërruar atë në një akumulues institucional të memories historike të shqiptarëve”, nënvizoi Asani.
Ndërkaq Mehmet Prishtina tha se pret që institucionet dhe shoqëria të reflektojnë në ngritjen e memorires sonë kolektive në një rrafsh më të konsoldiuar institucionalisht dhe shkençërisht.
“Qendra përkujtimore “Bllaca 99” e ideuar nga ITSHKSH në Shkup, ngërthen në vete semantikën e vuajtjeve të shqiptarëve si pasojë e dëbimeve dhe veprimeve gjenocidale të pushtuesve grabitçarë. Të kujtosh të kaluarën nuk mjafton, nëse nuk i shtojmë edhe segmentin e institucionalizimit të së djeshmes në emër të vrojtimit të së ardhmes”, nënvizoi Prishtina.
Kreu komunal i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, duke u zotuar se komuna do të realizojë të gjitha veprimet e duhura sa i përket konsolidimit të Qendrës Memoriale “Bllaca 99”. por u shpreh se për ringritjen e saj nevojitet angazhim i Qeverisë së Kosovës.
Gazmend Boletini dhe Sabri Kadriu thanë se ky përvjetor i shënimit të 24 vjetorit të dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga vatrat e tyre, duhet të na ndërgjegjësojë për hapat e duhur drejt një perspektive më të ndritshme. ITSHKSH do të vazhdojë me projekte e ide konkrete të imponojë vizionin e tij shkencor e kulturor se si duhet të institucionalizohet memorja jonë kolektive, një kauzë kjo që do të duhej të merret si model edhe nga institucionet e Kosovës, të cilat aktualiusht më tepër po merren me fjalë boshe se sa me vepra konkrete.