ITSHKSH me tre botime të reja shkencore

tre-libratShkup, 28.10.2013 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore i Shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup (ITSHKSH), këto ditë nxori nga shtypi tre botime të reja, të cilat e plotësojnë mozaikun e literaturës shkencore, sidomos në sferën e gjuhësisë dhe letërsisë shqipe. Bëhet fjalë për numrin e 7-të të revistës “Studime albanologjike”, librin “Fjalor i gabimeve gjuhësore – Këshilla për t’u shprehur saktë dhe bukur” nga autori Prof.Dr.Qemal Murati, si dhe librin “Këngët lirike të Drinisë” nga autori Dr.Shefqet Zekolli.

Numri më i ri i revistës “Studime albanologjike”, me kryeredaktor Prof.Dr.Qemal Murati, sjellë para lexuesve tema të ndryshme dhe të reja nga sfera e gjuhës, letërsisë, historisë, folklorit, etj. Në kapitullin “Studime dhe artikuj”, radhiten tekstet e studiuesve: Qemal Murati, Zeqirija Ibrahimi, Izaim Murtezani, Shefqet Zekolli, Arben Hoxha, Yzedin Hima, Afrim A.Rexhepi, Naim Halimi, Skender Asani, Zeqirja Rexhepi, Avzi Mustafa dhe Leon Trocki. Në kapitullin “Identitete shqiptare e ballkanike”, lexojmë punimet e autorëve Gazmend Kapllani, Armand Plaka, Admirina Peçi, Faik Konica dhe Sabaudin Zhuta, si dhe disa recensione nga Emil Lafe, Xhelal Ylli dhe Sefer Tahiri.

Ndërsa, libri “Këngët lirike të Drinisë” nga autori Dr.Shefqet Zekolli, përbën një studim shkencor nga fusha e letërsisë dhe folklorit në anën e Drinit të Kosovës. Siç do të shprehet edhe vetë autori, motivet e ndryshme dhe atraktive të këngëve lirike të Drinisë, pasuria përmbajtjesore që këto këngë mbajnë në vete, shprehjet e bukura lirike dhe vlerat e tjera të pamohueshme artistike që ato kanë, e kanë shtyrë atë që për një kohë të gjatë t’u përkushtohet këtyre krijimeve popullore të një rëndësie të veçantë. Recensentë të këtij libri janë Prof.Dr.Zeqirja Neziri (Universiteti i Shkupit) dhe Prof.Dr.Izaim Murtezani (Instituti i Folklorit në Shkup).

Siç edhe mund të vërehet nga titulli dhe nëntitulli i librit: “Fjalor i gabimeve gjuhësore – Këshilla për t’u shprehur saktë dhe bukur” nga autori Prof.Dr.Qemal Murati, kemi të bëjmë me një botim i cili është më se i nevojshëm në kohën e sotme, kur sa më shumë shtohen format e komunikimit, aq më tepër shtohen edhe gabimet gjatë të folurit ose të shkruarit. Në këtë libër, gjenden mbi 1000 fjalë e fraza inflacioniste me forma të gabuara, të cilat duhet shmangur nga përdorimi. Duke e lexuar këtë libër, lexuesit do të befasohen sesa shumë gabojnë edhe aty ku nuk mund të gabohet. Ky tekst kryesisht analizon gjuhën e sotme që përdoret nëpër mediat shqipe, si në gazeta e revista, radio e televizione, internet dhe në jetën e përditshme. Recensentë të këtij libri janë Shfekije Islamaj (Instituti Albanologjik i Prishtinës) dhe Edlira Troplini (Universiteti i Durrësit).

Këto tre botime të ITSHKSH-së, janë mbështetur materialisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë. /www.itsh.edu.mk/

 

———————————————————————————

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …