ITSHKSH dhe Shkupi në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

-Sot në Prizren, me një sërë manifestimesh është shënuar  140 vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Në konferencën shkencore ndërkombëtare, pjesë e organizimit ishte edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve në Shkup, përmes drejtorit dr.Skender Asani (i cili u paraqit me një fjalë përshëndetëse), dhe punëtorit shkencor dr.Besnik Emini (i cili u paraqit me një kumtesë shkencore).

Në vijim, fjalimi integral i drejtorit të ITSHKSH-Shkup, dr.Skender Asani:

Të nderuar të pranishëm,

Është nderë i madh për të gjithë ne, që sot jemi mbledhur në Prizrenin historik, piemontin e shqiparizmës, për të kujtuar 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, si njëra ndër ngjarjet më madhore të historisë sonë kombëtare.
Lidhja e Prizrenit ishte e para lëvizje çlirimtare me karakter kombëtar, në të cilën morën pjesë të gjitha krahinat shqiptare, dhe në të cilën u kombinuan të gjitha format e luftës çlirimtare, që nga kuvendet popullore e deri te parashtresat politike, që nga misionet diplomatike e deri te kryengritjet e armatosura për liri dhe bashkim kombëtar.
Një hallkë shumë e rëndësishme e këtij organizimi ushtarak dhe politik të shqiptarëve, 140 vjet më parë, ishte edhe Shkupi, përkatësisht dega e Lidhjes së Prizrenit në Shkup, e personifikuar me emrin e atdhetarit të shquar, Jashar bej Shkupit. Kontributi i tyre në ato procese të rëndësishme kombëtare, mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjitha kohërat.
Edhe sot në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare në Prizren, kam nderin që bashkë me kolegët e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, të prezantojmë Shkupin dhe trojet shqiptare që administrativisht mbetën jashtë trojeve shqiptare, si rezultat i padrejtësive që në atë kohë bënë fuqitë e mëdha.
Të nderuar të pranishëm,
Pa dashur që t’ju marr kohë më tepër, duke përshëndetur këtë organizim shkencor nga institutet kredibile shkencore të Prishtinës, Tiranë e Shkupit, nën kujdesin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit për shënimin e vitit jubilar të Skënderbeut, më lejoni që të theksoj edhe nevojën që këto bashkëpunime të jenë më intensive dhe në frymën e bashkimit tonë kulturor, si arma më e fuqishme kundër tendencave të qarqeve të ndryshme për ndasi dhe fragmentarizim të indit tonë kombëtar.

Dr. Skender Asani, ITSHKSH
Prizren, 10.06.2018

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …