Shkup, 13 janar 2022 – Sot në Shkup është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në mes të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, dhe Shtëpisë Botuese “DRITA”, organ i Dioqezës Prizren-Prishtinë
Me këtë marrëveshje po institucionalizohet bashkëpunimi në funksion të zgjerimit dhe forcimit të marrëdhënive në mes të dy institucioneve me interes të përgjithshëm kulturor – shkencor.
Një dimension i përbashkët i kësaj marrëveshje ka të bëjë edhe me realizimin e aktivitetit botues, arsimor, kulturor dhe shkencor nëpërmjet të angazhimit të ndërsjellë të kuadrove me interes për palët nënshkruese përfshi edhe promovimin e librave e botimeve, organizmin të seminareve, kurseve, konferencave, projekteve kërkimore-shkencore. Kujdes i veçantë do ti kushtohet projekteve me karakter ndërkombëtar.
Projekti i parë i cili do të realizohet bashkërisht do të jetë ribotimi i librit “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj”, me autor Dr. Gaspër Gjini (botimi i parë në Prizren, Drita, 1992). Ky botim do të ketë siglën e ITShKSh – Shkup dhe “Drita”- Prishtinë, dhe do të botohet si pjesë e projektit botues disavëllimësh “Historia e trevave lindore shqiptare”, thuhet ndër të tjera në tekstin e Marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, dhe Shtëpisë Botuese “DRITA”, organ i Dioqezës Prizren-Prishtinë, të nënshkruar nga drejtorët Prof. dr. Skender Asani dhe Don Fatmir Koliqi.