Shkruan Prof.dr. Skender ASANI
Ta quash veten shkupjan apo shkupjane, nuk është e thënë se patjetër duhesh të jesh nga ky qytet i lashtë. Të gjithë ata që kanë provuar në vesh tringëllimën e kalldërmës së Shkupit, ose zhurmën e vizitorëve në Çarshinë e Vjetër, janë ndjerë, jo thjeshtë mysafirë dhe kalimtarë të rastit, por kur janë larguar prej këtu, me vete kanë marrë edhe magjinë e një ëndrre të bukur që nuk do të doje të të braktiste. Do të doje që për një kohë të gjatë të jetosh në thërmijat e këtij realiteti magjik dhe tek pas një kohe me ato thërmija të sajosh portretin tënd të shkrirë në ngjyrat e purpurta të buzëmbrëmjes shkupjane.
A thua me çfarë ngjyre do ta pikturoj nostalgjinë e saj për Shkupin, një shqiptaro-amerikane e ardhur këtu si pjesë e një programi studimor amerikan, e cila pas disa javësh po kthehet në Nju Xhersi me statusin e pashpallur zyrtar të një shkupjaneje. “Edhe unë jam shkupjane”, na tha një ditë ajo, teksa fliste për temën e periferisë dhe periferikëve… Është ajo Ines Angeli Murzaku, një pedagoge universitare me të cilën patëm fatin të bashkëpunojmë gjatë qëndrimit të saj në Shkup. Në ITSHKSH promovuam librin e saj “NËNË TEREZA, SHENJTORJA E PERIFERIVE”, me ç’rast u shpalosën vlerat kulmore të këtij studimi me kredibilitet të lartë shkencor dhe sidomos do të na ngelin në kujtesë fjalët e saj, e cila ndër të tjera, njësoj si Nënë Tereza, tha: “Bëj gjëra të vogla me shumë dashuri. Fillo nga familja, duaje familjen, pastaj tek komshiu, duaje komshiun. Këtë do të bënte Nënë Tereza. Ajo nuk donte të përzihej me ideologji, nuk donte të përzihej me politikë. Kjo Nënë që edhe nga trupi ishte e vogël, arriti gjëra shumë të mëdha me këtë metodologji. Dhe nga e mësoi këtë? Nga periferia. Ballkani dhe ne si shqiptarë kemi shumë për të ofruar. Ajo i kishte mësuar të gjitha në laboratorin e Ballkanit. Ishte ndeshur me fe të ndryshme, kishte shumë shokë myslimanë, ortodoksë, njerëz të etnive të ndryshme”, u shpreh Prof. Ines Murzaku.
Ajo gjithashtu mori pjesë edhe në një aktivitet tjetër të ITSHKSH, me rastin e promovimit të librit të Don Lush Gjergjit kushtuar Nënës Tereze me titull “E kam në zemër popullin tem shqiptar”. Kontributi i saj në zbërthimin përmbajtësor të këtij libri, ishte tepër i frytshëm, si për audiencën, ashtu edhe për ata që do merren me studime më të thelluar mbi figurën kuptimplote të kësaj shenjtoreje.
Po (për ata që nuk e njohin) kush është Ines Angeli Murzaku?
Ajo është një studiuese e specializuar për histori, kryesisht në historinë e Kishës Bizantine dhe të Kishës Katolike. Ajo është profesoreshë e Historisë Kishtare në Departamentin e Studimeve Fetare në Seton Hall University në New Jersey dhe autore e 20 veprave shkencore. Prof.Angeli është Nën-Presidente e Shoqatës Amerikane për Studimin e Kombësive dhe anëtare e Bordit Drejtues të Shoqatës “Kristianet të Asociuar për Marrëdhënie me Europën Lindore.”
Para largimit të saj në Amerikë, bëmë një shëti të shkurtër në disa pjesë autentike të Shkupit , ku vizituam pjesët më emblematike të Çarshisë së Vjetër, pa anashkaluar takimet dhe ndejat me ata që i japin gjurmë identidikuese kësaj Çarshije dhe këtij ambienti unikat urbanistik-kulturor, përfshi edhe Myftiun e Shkupit, dr.Qenan ef. Ismaili, me të cilin shkoqitëm disa nga temat që na bashkojnë si mentalitete dhe si religjione. Inesi në këto tema është kampione. Ke çka të mësosh nga ajo, por edhe të dëgjon me vëmendje, sepse kurreshtjen për të mësuar e ka më të madhe se çfarëdo lloj pasioni tjetër.
Arsyet e qëndrimit në një vend të caktuar, për një shkencëtar mund të jenë specifike, por për Ines Murzakun, arsyeja kryesore pse ajo dëshiron sërish të vijë në Shkup, ka të bëjë me frymën që bart ky qytet në perceptimin e saj shpirtëror. Ajo thotë se është Nëna Tereza që po e sjell për të tretën herë në Shkup, por ne do ta “detyrojmë” të vijë edhe për ndonjë shkas tjetër që lidhet me fushëveprimin e një bashkëpunëtoreje të jashtme të ITSHKSH, status ky që në të ardhmen do ta ketë edhe zyrtarisht Ines Angeli Murzaku. Fundja edhe pa këtë status ajo vazhdon të jetë një emër i nderuar në arenën e madhe të konkurrencës së dijes globale.
Jemi me shumë fat që e kemi.
Shkup, 18 qershor 2022