“Ilegalja shqiptare…”, u promovua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Tiranë, 5.5.2023 – Sot, në praninë e një auditori akademikësh, u promovua libri me dokumente “Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”, një vepër dyvëllimëshe me dokumente e përgatitur nga studiuesit Skender Asani, Sevdail Demiri, Milaim Fetai dhe Besnik Rameti dhe e botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve

Në fillim të pranishmit i përshëndeti kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akad. Skënder Gjinushi, i cili u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve nga Shkupi dhe e vlerësoi faktin se përmes këtij promovimi, ASHSH-ja dhe ITSHKSH-ja po vendosin ura të mira bashkëpunimi. Përkitazi me veprën folën dy përgatitësit e saj, Skender Asani dhe Sevdail Demiri.

Me këtë rast studiuesi Asani theksoi: “Arsyeja themelore pse ne iu rrekëm këtij projekti, ka të bëjë me një qëllim shumë sublim që kishim si studiues: që të parandalojmë manipulimin historik të shqiptarëve nga qarqe e individë të cilët me vite të tëra ishin munduar të na i prezantojnë si vlera kombëtare, disa pseudovlera, të na fusin pyka në mesin e shqiptarëve për llogari të shërbimeve antishqiptare.”, për të vazhduar: “Konsiderojmë se gjithë ky angazhim i yni hulumtues ka në thelb një mision të shenjtë, sepse nuk ka shenjtëri më të madhe se sa të thuhet e vërteta. Nuk ka shenjtëri më të madhe se të mbrohen njerëzit nga etiketimet dhe denigrimet. Nuk ka shenjtëri më të madhe se mbi dyshimet e fabrikuara të ngrejmë besimin në mes nesh, dhe të ndërtojmë ura mbi të cilat do të kalojë mirëkuptimi dhe uniteti ynë i brendshëm kombëtar.”

Referuesi i dytë, Sevdail Demiri, duke bërë një vlerësim objektiv të veprës, theksoi se: “Këto dy vëllime janë përplot me kualifikime, emërtime, tabela, harta e statistika lidhur me grupet ilegale shqiptare anembanë ish – Jugosllavisë. Sigurimi Shtetëror Jugosllav jep të dhëna më të detajuara për 152 grupe dhe organizata ilegale shqiptare të zbuluara gjatë viteve 1980-1987, me gjithsej 1.740 anëtarë, ku numrin më të madh e përbëjnë rinia, nxënësit dhe studentët (plot 940 sosh). Për të gjithë të akuzuarit e të dënuarit në forma të ndryshme, jepen të dhëna të shkurtra biografike si dhe përshkrimi i veprës me të cilën ngarkoheshin. Siç edhe pranohet nga vetë sigurimsat jugosllavë, realisht ka pasur edhe shumë më tepër persona të angazhuar në veprimtarinë e tillë ilegale, por që pushteti nuk kishte arritur t’i zbulojë. Me fjalë të tjera, i bie se gati në çdo qytet, fshat, lagje e familje atdhetare shqiptare të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, ishte ndezur kandili i qëndresës kolektive kombëtare antijugosllave, që kishte për qëllim lirinë dhe pavarësinë.”

Pas referateve, u zhvillua edhe një debat rreth veprës, por edhe temës së vjeljes së arkivave për ta zbardhur rolin e organizatave ilegale shqiptare, por edhe për rolin e shtetit shqiptar në periudhën e ish sistemit, me ç’rast diskutoi edhe Akad. Shaban Sinani – Sekretar i ASHSH-së, si edhe studiues të tjerë..

Promovimi u moderua nga Sekretari Shkencor i Institutit, Dr. Sefer Tahiri.

 

 

 

 

 

 

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …