Shkup, 01 prill – Sot në ITSHKSH u shënua në mënyrë të veçant 41 vjetori i demonstratave të vitit 1981. Me këtë rast u organizua një tribunë me temë “Gruaja, zë rezistues i ilegales dhe luftës për liri”. Dr. Teuta Bekteshi-Ajeti në cilësinë e bashkërendueses së kësaj tribune përkujtoi vajzat dhe gratë shqiptare që kishin qenë aktive në proceset e rëndësishme, ku viti 1981 kishte qenë strumbullari i ngjarjeve revolucionare. Ajo me këtë rast faleminderoi ITSHKSH dhe drejtorin, Skender Asani, për mbështetetjen e kësaj ngjarjeje të rëndësishme.
Kjo tribunë tuboi një numër të madh grashë që kishin qenë aktive në demonstratat e Kosovës. Për të nderuar punën e tyre, kishte ardhur edhe lideri i BDI, Ali Ahmeti, i cili evokoi disa ngjarje e emra nga ditët e bujshme të demonstrative gjithë popullore.
Drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, pasi shprehu nderimin dhe respektin ndaj sakrificave të atyre që sollën lirinë e Kosovës, tha se në punën e tij kishte pasur udhërrëfyes figura të shquara të Rilindjes Kombëtare, por me një theks të posaçëm motrat Qiriazi, të cilat mbollën dritën e iluminizmit shqiptar. Sipas Dr. Asanit Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi kishin thyer tabutë e krijuara rreth imazhit të shqiptarëve dhe me kontributin e tyre ato lartësuan historinë dhe lavdinë e shqiptarëve. Duke qenë pjesëmarëse direkte në Kongresin e Alfabetit si dhe në Konferencën e Paqës në Varsaj, Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi vendosën themelet e oksidentalizmit kulturor të shqiptarëve, u shpreh Dr. Asani. Ky i fundit i ftoi të gjitha pjesëmarrëset e kësaj tribune që kujtimet e tyre t’i sistemojnë dhe t’i sjellin në ITSHKSH, sepse vetëm kështu, duke u botuar, këto kujtime do të marrin një vlerë shumë fish më të madhe.