Shkup, 27.6.2020 – Dyzet vjet më parë nobelistja e paqes Anjezë Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza u shpall qytetare nderi i Shkupit. Sot, pas dyzet vjetësh, në vendin ku gjendet shtëpia ku lindi ajo në qendër të Shkupit, u vendosën lule.
Instituti i Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve njoftoi se departamenti i cili do të duhet të grumbullojë dhe arkivojë kujtime për Nënën Terezën tashmë ishte regjistruar edhe në Regjistrin Qendror, dhe ka marrë tiparin e një institucioni shtetëror.
“Do të merret me studime dhe kultivimin e shumëanshëm të figurës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës, duke e ngritur në shkallë institucionale kulturën e mbamendjes kolektive”, tha drejtori Skender Asani. Ai duke komentuar vendosjen e pllakës përkujtimore edhe në gjuhën shqipe, tha se tash e tutje gjuha e Nënë Terezës do të jetë e stampuar bashkë me gjuhët tjera në pllakën përkujtimore, një fakt ky që plotëson mozaikun e realitetit tonë shumetnik e shumgjuhësor.
Vendimi për institucionalizimin e departamentit u dorëzua nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i cili u shpreh i lumtur që ky Departament, i vetmi në rajon e botë, do të merret me hulumtimin shkencor të trashëgimisë, jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë.
Pjesëmarrësit i përshëndeti edhe drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, i cili theksoi se prej sot, pllaka përkujtimore e cila shënon vendin ku lindi Nënë Tereza, është edhe në gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë kjo gjuhë do të qëndrojë e barabartë pranë gjuhëve të tjera. Natyrisht ky akt përkon edhe me zbatimin zyrtar të gjuhës shqipe, punë kjo të cilën tanimë e kryen me sukses AZGJ-ja.