Gjuha, sfida e komunikimit

Fjala e drejtorit të ITSHKSH-së, dr.Skender Asani, në Konferencën “Shumëgjuhësia dhe sfidat e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në RMV”, organizuar nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës së RMV-së, Shkup:

Dua të faleminderoj organizuesin e kësaj konference ndërkombëtare, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës së RMV-së dhe drejtorin e saj, dr. Ylber Selën, për sensin bashkëpunues me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, duke avancuar në këtë mënyrë përpjekjet tona të përbashkëta në ballafaqimin shkencor me sfidat dhe problematikat e ndryshme që lidhen me përdorimin zyrtar të gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.
Me këtë rast dua të theksoj faktin se për një shoqëri moderne shumëgjuhësia është përparësi dhe jo hendikep, kurse në historinë e njerëzimit janë dëshmuar shumë raste ku komunikimi në mes të popujve ka qenë i suksesshëm vetëm atëherë kur janë njohur nga afër gjuhët dhe civilizimet njëri tjetrit. Me kalimin e kohës globi erdhi duke u zvogëluar për shkak të afrimeve që solli gjuha në saje të lidhjeve kulturore, tregtare e ekonomike.
Ne jetojmë në një epokë mjaft të zhvilluar të komunikimeve globale teknologjike dhe do të ishte anakronike që këto përfitime të mos i bartim edhe në realitetin tonë shumëgjuhësor . Popujt e njohin më mirë njëri tjetrin, vetëm kur e respektojnë gjuhën dhe kulturën e tjetrit, prandaj është më se e domosdoshme që sfidat e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut të mos konsiderohen si hendikep për njërën apo palës tjetër. Këto sfida më mirë do të ishte të shndërrohen në përpjekje civilizuese të të gjithë neve për të njohur gjuhën e tjetrit, sepse vetëm në këtë mënyrë ne jemi më afër standardeve që i kërkon Europa dhe bota e qytetëruar.
Nuk ka asnjë shoqëri, as një shtet i pastër 100% në pikëpamje etnike, dhe ky fakt ka mjaftuar të gjenden mekanizma ligjorë për të siguruar funksionimin e diversitetit gjuhësor, si parakusht i një shoqërie të lirë e të hapur.
Mekanizma të tillë janë vendosur edhe këtu në Maqedoninë e Veriut dhe ajo që kërkohet nga bota shkencore është të ndihmojë sa më tepër institucionet në gjetjen e lehtësirave administrative e teknike në aplikimin e shumëgjuhësisë.
Në një ambient të tillë, jam i sigurt se asnjë gjuhë dhe asnjë kulturë nuk do të pësojë, dhe për rrjedhojë edhe gjuha shqipe do ta gjejë shtratin normal të funksionimit, pa cënuar në asnjë formë autonominë dhe veçantinë e gjuhëve të tjera.
Në fund dua të siguroj kolegun tim dr. Ylber Sela se dyert e ITSHKSH do të jenë gjithmonë të hapura për bashkëpunim, për të vërtetuar në praktikë se ligjet janë të mira ose të këqija varësisht nga qasja që kemi ne ndaj tyre. Jam i bindur se bashkëpunimi ynë do të reflektojë në një dimension më të gjerë shoqëror, andaj të punojmë që ligjet të na shërbejnë vetëm si udhërrëfyes juridik, kurse pjesa tjetër angazhimit iu mbetet njerëzve kompetent të shkencës që të gjejnë modalitete sa më të përshtatshme për avancimin kulturës gjuhësore te të gjithë ne….

Ju faleminderit për vëmendjen!

Dr. Skender Asani,
drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shqirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup

 

Shikoni gjithashtu

PRESIDENTJA OSMANI BASHKË ME DREJTORIN E ITSHKSH, SKENDER ASANI, MBOLLËN BREDHIN E NËNË TEREZËS

“Bredhi dedikuar Nënë Tereze simbolizon lidhjen mes njerëzve, popujve e vendeve. Shembulli i saj në …